Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka hedhur poshtë interpalancën ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Panče Toshkovski, e ngritur nga Partia e Majtë duke u bazuar në disa baza, gjysma e të cilave lidhen drejtpërdrejtë me tragjedinë në Koçan. Interpelanca, që u votua pasditen e djeshme, nuk u mbështet nga 72 deputetë të shtëpisë ligjvënësve, ndërsa “pro” votuan 20 deputetë, duke u mbështetur nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM).
Debati në Kuvend kaloi me akuza të ndërsjella për dështime institucionale, përgjegjësi politike dhe paaftësi në përballimin e sfidave të sigurisë, pasi Partia e Majtë akuzoi ministrin Toshkovski për kryerje të papërshtatshme të funksionit të tij, sipas tyre duke vepruar në mënyrë jo-profesionale dhe të papërgjegjshme, gjë që çoi në një sërë veprimesh të paligjshme, skandalesh dhe transferimesh të personelit në ministrinë e tij.
Gjatë debatit, ministri Toshkovski tha se nuk ka frikë nga përgjegjësia dhe se mbetet në detyrë për t’u përballur me të vërtetën dhe për të sqaruar të gjitha dilemat. Ai trajtoi të gjitha pikat e interpelancës, përfshirë ngjarjen tragjike në Koçan, duke theksuar se në këtë rast Ministria e Punëve Brendshme nuk bëri asnjë lëshim.
Toshkovski theksoi se institucionet po marrin masa për të gjitha rastet e hapura. Ai po ashtu hodhi poshtë pretendimet për paragjykime etnike dhe akuzoi struktura të caktuara në BDI dhe LSDM për përpjekje për të destabilizuar vendin. Si pasojë e zjarrit që shpërtheu në një lokal nate në orët e para të mëngjesit të 16 marsit në qytetin e Koçanit, jetën e humbën 62 persona dhe rreth 200 të tjerë mbetën të lënduar.
Sipas të dhënave të fundit nga autoritetet e zbatimit të ligjit, lidhur me zjarrit hetimi po kryhet ndaj gjithsej 45 personave fizik dhe tre personave juridik. Ndër të parëve që u nis hetimi është edhe ish-ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, i cili aktualisht është në paraburgim.