Maqedoni-Kosovë, në opsion terreni neutral - Gazeta Express
string(41) "maqedoni-kosove-ne-opsion-terreni-neutral"

Valon Konushevci

11/03/2020 15:29

Maqedoni-Kosovë, në opsion terreni neutral

Valon Konushevci

11/03/2020 15:29

Sipas të gjitha gjasave UEFA do ta refuzojë kërkesën e Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut për shtyrje për një datë tjetër të ndeshjes me Kosovën shkaku i koronavirusit. Sipas burimeve të Gazetës Express të përfshira në këtë proces krejt çka mund t’u ofrojë UEFA maqedonasve në këtë situatë është mundësia që ndeshjen ndaj “Dardanëve” ta organizojnë në një shtet të tretë.  

Federata e Futbollit e Maqedonisë së Veriut (FFM) sot ka bërë kërkesë zyrtare në UEFA që të shtyhet për një datë tjetër ndeshja ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, e paraparë për t’u zhvilluar më 26 mars në Shkup – e vlefshme për kualifikim në “Euro 2020”. Këtë kërkesë maqedonasit e kanë bërë shkaku i koronavirusit që e ka prekur shtetin fqinj e po ashtu për shkak se tre lojtarë maqedonas luajnë në Itali, dhe sipas rregullit maqedonas, ata duhet të futen në karantinë posa të zbresin në Shkup nga Italia, shkruan Gazeta Express.

Por, burimet e Gazetës Express të afërta me zhvillimet thonë se gjasat janë minimale që kjo kërkesë e maqedonasve të aprovohet nga UEFA. “Ndeshja do të luhet më 26 mars dhe UEFA nuk pritet ta pranojë kërkesën nga Maqedonia. Mungesa eventuale e dy-tre lojtarëve është arsye e pamjaftueshme për UEFA-n që ta pranojë kërkesën për shtyrje të lojës, sidomos kur dihet se nuk ka më kohë sepse Kampionati Evropian po afrohet”, tha ky burim i Gazetës Express, i përfshirë në këtë proces.

Krejt çka mund të bëjë UEFA karshi kërkesës së Maqedonisë Veriore është ofrimi i mundësisë që maqedonasit të mund ta organizojnë lojën në një shtet neutral. “Krejt çka mund të ndodh është që UEFA t’ia ofrojë Maqedonisë Veriore një mundësi tjetër, në këtë rast që ndeshjen ta organizojë në një vend të tretë, pra jo në Kosovë e Maqedoni, por në një shtet tjetër të preferuar nga maqedonasit vendas. Por, kjo nuk është diçka që i shkon shumë përshtati Maqedonisë së Veriut”, tha ky burim.

Gazeta Express sot e ka pyetur UEFA-n nëse do të marrë apo jo vendim për shtyrje të ndeshjes ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Shtëpia e futbollit evropian nuk ishte në gjendje të jap përgjigje definitive, por nuk e ka përjashtuar asnjë mundësi. UEFA tha se po e përcjell me vëmendje situatën në Maqedoni në prag të ndeshjes së 26 marsit.

“UEFA është duke i monitoruar vendimet e autoriteteve lokale që mund të kenë ndikim në ndeshje në kompeticionet e tyre. Për momentin nuk kemi përditësim apo komente sa u përket ndeshjeve që do të luhen në atë fazë (më 26 mars). Të gjitha përditësimet sa u përket ndeshjeve që organizohen nga UEFA do të publikohen në uefa.com sa më shpejtë që të jetë e mundur”, ka deklaruar UEFA për Gazetën Express.

Në Maqedoni ndeshjet kampionale po zhvillohen pa praninë e publikut. Koronavirusi ka shkaktuar kaos në të gjitha garat futbollistike në Evropë dhe në shumë vende të botës. “UEFA është duke e marrë me seriozitet të madh situatën që lidhet me koronavirusin. Ne jemi duke e monitoruar nga afër situatën dhe jemi në kontakt me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe autoritetet kombëtare rreth COVID-19 dhe zhvillimit të tij”, theksoi UEFA.

Sipas kalendarit, fituesi i ndeshjes Maqedoni V. – Kosovë në finale të “Play-Off-it” takon fituesin e gjysmëfinales tjetër Gjeorgji – Bjellorusi më 31 mars. Fituesi i këtij “Play-Off-i” kualifikohet në Kampionatin Evropian të verës që po vjen. /GzetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement