Prokuroria Themelore në Gjakovë bashkë me policinë njoftoi se ka ndaluar 22 kryesues lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve të votimit gjatë procesit të numërimit të votave brenda subjekteve politike për zgjedhjet e deputetëve në Komunën e Gjakovës.
“Në kuadër të këtyre veprimeve janë intervistuar 22 (njëzet e dy) kryesues”, tha prokuroria në njoftim.
Të gjithë të dyshuarit ngarkohen për veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit” nga neni 216 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
“Me vendim të Prokurorit të Shtetit, 22 (njëzet e dy) kryesuesit janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, ndaj të cilëve Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë gjykatës kompetente”.
Prokuroria Themelore në Gjakovë u zotua për përkushtim në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe në trajtimin me prioritet të veprave penale që cenojnë votën e lirë dhe demokratike të qytetarëve./Express/