Manipulatori i Madh - Gazeta Express
string(19) "manipulatori-i-madh"

Manipulatori i Madh

OP/ED

Gazeta Express

15/08/2022 12:22

Kryeministri Kurti e di mirë se njerëzit në këtë vend, vajza e djem, gra e burra kanë nevojë të mendojnë me kokën e vet, e jo me kokë të mbuluar. Kryeministri Kurti gjithashtu e di shumë mirë se Republika e Kosovës ka lindur nga ajo botë kah dielli perëndon

Dritan Dragusha

Lexo Edhe:

Në përballjen mes koncepteve apo ideologjive domosdoshmërisht ndahen anët. Madje, edhe kur këto përplasje ndodhin në një rrafsh ose vend shumë periferik prodhojnë ngërdheshje te palët. Kështu që, sulmi mbi shkrimtarin Salman Rushdie nuk mund të izolohet vetëm në personin e tij apo të botëkuptimeve të tij. Rushdie për botëkuptimet e tij tani i bart pasojat edhe në trupin e vet, kurse të gjithë ata që mendojnë sikur ai, flasin si ai dhe sillen sikur ai, kërcënohen se e njëjta mund t’i gjejë edhe ata. Pra, ky sulm, pa e relativizuar aspak, por duke shprehur indinjatën, është përtej vetë shkrimtarit Rushdie. Ky sulm është kundër mendimit ndryshe, kundër shprehjes së lirë. Është sulm kundër demokracisë dhe Rushdie tani për tani, është modeli më përfaqësues, është pika referente më serioze përmes së cilës mund të atakohen vlerat liberal-demokratike. Ky është një ballafaqim mes lirisë së mendimit dhe diktatit të tij. Prandaj, ky sulm nuk është i rastit, ku një i dremitur nga çmenduria ka vendosur ta sulmojë me thikë një shkrimtar. Assesi! Për sulmuesin dhe të tillët si ai është shumë me rëndësi çka ke mbi kokë, sepse kjo pastaj e përcakton se çka do të kesh në kokë. Rushdie u sulmua pikërisht për atë se çka kishte në kokë, nga një fanatik që udhëhiqet nga ajo se çka ka mbi kokë.Për fanatikun varësisht sa e madhe është ajo mbi kokë, aq më thellë fanatizmi do të futet në kokë.

“…është bindja jonë se është e rëndësishme çka ke në kokë, e jo çka ke mbi kokë”, kjo është një frazë e shkëputur nga një fjalim i kryeministrit Kurti. Në parim duket një fjali shumë e thjeshtë, me rimë, po ashtu. Siç e dimë tanimë kryeministri ynë pothuajse vetëm rimon, por që në thelb ky mendim i tij është një manipulim ordiner. Sepse, kryeministri Kurti e di shumë mirë se ajo çka ke mbi kokë e determinon edhe atë se çka do të kesh në kokë. Ai e di mirë se mbulesa e kokës (shamia) nuk shpreh vetëm një dukje të zakonshme, por edhe pozicionim politik, kulturor dhe estetik, fetar po se po. Pra, shamia nuk është një aksesor i thjeshtë dhe kryeministri Kurti këtë e di mirë. Ai e din mirë se veshja ose sjellja sipas fesë vë në pah (dhe këtë e ka si qëllim) para së gjithash idenë për botën, për rendim moral, për rendin social. Ajo përveç që shpreh bindje, shpreh edhe tendencë. Kryeministri e di mirë gjithashtu, se vajzat dhe grat, para se t’ua mbulojmë kokën, kanë nevojë që vetë ta zbulojnë botën. Kryeministri Kurti e di shumë mirë se, sikurse kudo, edhe në Kosovë që nga paslufta feja islame është në një përplasje të madhe të brendshme. Ai e di mirë se fanatizmi religjioz është i pranishëm jo vetëm te besimtarët, por sidomos te kleri. Ai e di mirë se ajo çka ke mbi kokë ua kishte gjetë rrugën shumë të rinjve dhe të rejave kosovare që të përfundojnë në tokën e shamit. Madje, ai e di shumë mirë se shumë të rikthyer nga ajo katrahurë qëndrojnë nëpër azilet e shtetit të Kosovës.

Kryeministri Kurti e di mirë që arsimi në Kosovë nuk ka nevojë për vajza me kokë të mbuluara, por ka nevojë për libra seriozë, jo plagjiat dhe të shkruar keq. Ai e din mirë se arsimi në Kosovë ka nevojë për edukatorë, mësues e profesorë të dijshëm dhe të kulturuar, që nxënësve ua hapin trurin, e jo duke i dërguar në kisha apo xhami. Ai e din mirë se para se ta fusim mësim/besimin fetar nëpër shkolla, duhet ta krijojë një arsim sa më cilësor, ku primare janë arti, kultura e shkenca. Ai e di mirë se gratë para së gjithash kanë nevojë për punë, për t’u pavarësuar nga sistemi shtypës që mirëmbahet edhe nga vetë shteti. Ai e di mirë se vajzave dhe grave para se t’ua mbulojmë kokën, duhet t’ua ndajmë pronën. Ai e di mirë se para së grave t’ua mbulojmë kokën duhet t’i mbrojë nga dhuna në familje dhe në shoqëri. Kryeministri Kurti e di shumë mirë po ashtu se para se vajzave t’ua mbulojmë kokën, duhet ta krijojë një sistem serioz të drejtësisë ku përdhunuesi të mos lirohet në bazë të procedurës së rregullt. Ai e di mirë se para se vajzave dhe grave t’ua mbulojmë kokën, duhet t’u krijohet mirëqenie, siguri dhe jetë dinjitoze. Ai e di mirë se para se vajzave dhe grave t’ua mbulojmë kokën, duhet që ato dhe secili në këtë vend të ketë punë, siguri në punë, liri për t’u shprehur, liri për të vepruar, pra, mundësi. Kryeministri Kurti e di mirë se njerëzit në këtë vend, vajza e djem, gra e burra kanë nevojë të mendojnë me kokën e vet, e jo me kokë të mbuluar.

Kryeministri Kurti gjithashtu e di shumë mirë se Republika e Kosovës ka lindur nga ajo botë kah dielli perëndon.