Mancini, para startit të Euro 2020: “Kujdes nga Turqia, por ne duam të shkojmë në Londër” - Gazeta Express

Mancini, para startit të Euro 2020: “Kujdes nga Turqia, por ne duam të shkojmë në Londër”

Sport

Gazeta Express

10/06/2021 19:41

Mancini beson se Italia e tij ka kapacitete për të prekur finalen e Kampionatit Evropian dhe pse jo edhe ta fitojë krejtësisht atë. Euro 2020 starton të premten me ndeshjes mes Italisë dhe Turqisë.

Roberto Mancini përcjell optimizëm me fjalët e tij para sfidës debutuese me Turqinë, që bën hapjen e ‘Euro 2020’. Në konferencë për shtyp para sfidës, trajneri i Italisë nuk e fsheh ambicien për t’i shkuar deri në fundit këtij eventi madhor të futbollit evropian.

Por, italiani ka thënë se duhet të koncentrohen maksimalisht te Turqia, për faktin se është edhe ndeshja hapëse e Euro 2020 dhe sipas tij, sfidat e para janë gjithmonë më të komplikuara.

“Duhet ta respektojmë Turqinë, është një ekip me plot talent. Debutimi është gjithmonë i vështirë, por duhet të mendojmë për të luajtur futboll. Kam qenë i sigurt tre vjet më parë dhe tani jam edhe më i sigurt. Kemi punuar mirë, grupi është i shkëlqyer. Kemi qenë së bashku për një kohë të gjatë dhe do të dëshironim të vazhdonim kështu dhe, në fund të fundit, nëse mundemi, të shkojmë në Londër. Ne do të flasim përsëri për këtë, por unë jam shumë i sigurt”, tha Mancini.

Sfida me Turqinë do të luhet në “Olimpico”, në prani të 16 mijë tifozëve.

Për trajnerin e të kaltërve do të ishte shumë më mirë nëse stadium i Romës do të mbushej në kapacitet të plotë.

“Do të kishte qenë më mirë të kishim shumë më tepër njerëz, duke pasur parasysh situatën që po evoluon. Do të kemi 16 mijë të pranishëm, duke përfshirë shumë tifozë turq. Ndoshta stadiumi i plotë do të na kishte dhënë një shtytje shtesë, megjithatë është kënaqësi të luash para tifozëve. Shpresojmë të luajmë mirë dhe të argëtohemi, duke qenë të qetë. Ky është qëllimi ynë.”

Italia humbi para nisjes së Europianit dy elementë të rëndësishme, për mungesën e të cilëve Mancini shpreh keqardhje. 

“Më vjen keq për dëmtimet e Sensit dhe Pellegrinit. Më vjen keq për Lorenzon, sepse ai po bënte shumë mirë. Ata ishin lojtarë të rëndësishëm për ne. E meritonin të luanin në këtë Kampionat Europian. Por këto janë gjëra që ndodhin”.

Pas sfidës me Turqinë, Italia do të përballet me Zvicrën me 16 qershor dhe me Uellsin në ndeshjen e fundit në grup me 20 qershor, ku do të mësohen dy skuadrat që kalojnë tutje nga Grupi A. /Gazeta Express/