Manchester Unitedi e ndal Chelsea në ndeshjen e parë të Carrick në stol në Premierligë - Gazeta Express
string(86) "manchester-unitedi-e-ndal-chelsea-ne-ndeshjen-e-pare-te-carrick-ne-stol-ne-premierlige"

Manchester Unitedi e ndal Chelsea në ndeshjen e parë të Carrick në stol në Premierligë

Futboll

Gazeta Express

28/11/2021 19:24

Chelsea është ndalur nga Manchester Unitedi me një barazim 1:1 të dielën në ndeshjen e parë të Micheal Carrick në stolin e dajave të kuq në Premierligë, i vendosur kryesisht nga një gabim trashanik dhe një penallti e Jorginhos

Jadon Sancho e kaloi Unitedin në epërsi herët në pjesën e dytë, para se Jorginho ta shpëtonte Chelsean nga humbja duke shënuar nga penalltia në Stamford Bridge, Raporton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Megjithëse i lëshoi dy pikë, Chelsea mbetet lider i Premierligës tani me 30 pikë nga 13 ndeshje, por vetëm një më pak se kampioni në fuqi Manchester City dhe dy më pak se Liverpooli që e ndjekin nga pas.  

Manchester Unitedi, që u udhëhoq nga trajneri i përkohshëm Michael Carrick për herë të parë në ligë pas shkarkimit të Ole Gunnar Solskjaerit, është tri ndeshje pa fitore në ligë tani.

Djajtë e kuq ngrihet në vendin e tetë me 18 pikë, pesë larg top katërshes.

Të kaltrit e Londrës ishin mbizotërues në përgjithësi dhe kanë mundur shumë lehtë t’i mbanin tri pikë të plota në shtëpi.

Unitedi, për të cilin Cristiano Ronaldo e nisi nga stoli takimin, i pati vetëm dy goditje në kornizën e portës dhe u mbrojt tërë ndeshjen.

Callum Hudson-Odoi ka mundur ta kalonte Chelsea në epërsi qysh në minutën e katërt, por goditjen e tij nga afërsia e priti portieri David De Gea.

Më së afërmi golit në pjesën e parë erdhi Antonio Rudiger kur e goditi shtyllën horizontale me një gjuajtje të shkëlqyer në minutën e 31-të.

Kur të kaltrit po sulmonin dhe po e mbanin Unitedin në zonën e tij, Jorginho dështoi ta ndalë siç duhet një top në mesin e fushës si lojtar i fundit dhe Sancho ia vodhi atë dhe vrapoi i vetëm deri te porta e portierit Mendy, para se ta mposhte atë me një goditje të ulët në minutën e 50-të.

Pak çaste më vonë, Timo Werner e lëshoi një mundësi të mirë për ta barazuar rezultatin kur goditja e tij shkoi pranë shtyllës së majtë të portës.

Jorginho u shpagua për gabimin e bërë dhe e barazoi rezultatin duke shënuar nga penalltia në minutën e 69-të, pasi Wan-Bissaka e kishte faulluar Thiago Silvën në zonën e Unitedit.

Wan-Bissak e shpëtoi Unitedin nga pësimi i një gol të sigurt, kur e bllokoi goditjen e Timo Wernerit nga afërsia.

Fred ka mundur ta shfrytëzonte një tjetër gabim të tmerrshëm të Chelseat në çastet e fundit, kur portieri Mendy ia pasoi topin direkt në këmbë, por përpjekja e brazilianit për ta paraboluar senegalezin ishte tejet e dobët.

Në frymën e fundit, Rudiger gjuajti mbi portë nga rreth pesë metra largësi, pasi u harrua i vetëm nga Cristiano Ronaldo në shtyllën e dytë./Gazeta Express/