Manchester United ka hyrë fuqishëm në garë për mesfushorin e Sporting CP, Morten Hjulmand, duke paraqitur një ofertë fillestare prej 40 milionë euro, sipas raportimeve nga Calciomercato.com.
Mesfushori danez ka qenë i lidhur ngushtë me Juventusin gjatë javëve të fundit, por ndërhyrja e “Djajve të Kuq” mund të ndryshojë rrjedhën e garës. Hjulmand ka një klauzolë lirimi prej 80 milionë euro, por klubi portugez thuhet se është i gatshëm të shqyrtojë oferta në zonën e 50 milionë eurove.
Ndërkohë, përfaqësuesit e lojtarit shpresojnë që marrëveshja të mbyllet në shifrat 30-40 milionë euro, çka përputhet me ofertën fillestare të Manchester United.
Juventus në pritje – duhet të shesë Douglas Luiz
Juventus, nga ana tjetër, duhet më parë të shesë Douglas Luiz përpara se të bëjë një ofertë zyrtare për Hjulmand.
Sipas burimeve italiane, bardhezinjtë janë të përqendruar aktualisht në shitjen e mesfushorit brazilian, i cili pritet të rikthehet në stërvitje sot pas disa ditësh mungesë pa leje nga klubi.
Një rikthim në Itali për Hjulmand?
Hjulmand, 26 vjeç, nuk është i panjohur për futbollin italian. Ai ka luajtur më parë me Lecce, duke kaluar dy sezone në Serie B dhe një në Serie A, ku zhvilloi 95 ndeshje zyrtare në të gjitha kompeticionet me skuadrën “Giallorossi”.
Me ofertën e United tashmë në tavolinë, mbetet për t’u parë nëse Juventus do të reagojë në kohë apo do të humbasë një nga objektivat e tyre kryesorë të merkatos së verës. /GazetaExpress/