Manchester City mori tre pikë të rëndësishme në udhëtim, duke mposhtur Leeds United me rezultatin 1-0 në kuadër të javës së 28-të në Premier League.
Goli vendimtar erdhi në minutën e 47-të, kur Rayan Ait-Nouri dha një pasim perfekt për Antoine Semenyo, i cili nuk gaboi dhe e dërgoi topin në rrjetë për të dhënë avantazhin minimal për “Qytetarët”.
Pjesa e parë u karakterizua nga presioni i vazhdueshëm i City, me raste të rrezikshme nga Omar Marmoush dhe Nico O’Reilly, por portieri i Leeds, Karl Darlow, dhe mbrojtja e ekipit parandaluan golin. Vendasit provuan të barazonin me aksione nga Dominic Calvert-Lewin dhe Brenden Aaronson, por nuk ia dolën.
Në pjesën e dytë, Pep Guardiola bëri disa ndryshime strategjike, duke futur Savinho, Tijjani Reijnders dhe Marc Guehi, që sollën më shumë dinamikë në sulm. Megjithatë, City ruajti avantazhin minimal deri në fund, duke marrë tre pikët.
Me këtë fitore, Manchester City shkon në 59 pikë, vetëm dy më pak se Arsenali që kryeson tabelën me 61 pikë, duke mbajtur gjallë garën për titullin e Premier League. /GazetaExpress