Manchester City ka konfirmuar dominimin ndaj Newcastle United, duke regjistruar edhe fitoren e dytë në gjysmëfinalen e EFL Cup.
“Citizens” triumfuan 3-1 në “Etihad Stadium” dhe me rezultat të përgjithshëm 5-1 nga dy ndeshjet siguruan biletën për në finalen e madhe.
Skuadra e Pep Guardiolës e vendosi fatin e takimit që në pjesën e parë, duke shënuar tre gola brenda 30 minutave. Omar Marmoush zhbllokoi rezultatin në minutën e 7-të, ndërsa i njëjti lojtar u shfaq sërish protagonist në minutën e 29-të, duke dyfishuar epërsinë e vendasve.
Vetëm pak minuta më vonë, në minutën e 32-të, mesfushori holandez Tijjani Reijnders realizoi golin e tretë, duke i dhënë goditjen përfundimtare shpresave të Newcastle për rikthim.
Në pjesën e dytë, mysafirët arritën të shënojnë golin e vetëm përmes Anthony Elanga në minutën e 62-të, por pa arritur të vënë realisht në rrezik suksesin e Cityt.
Me këtë fitore bindëse, Manchester City avancon në finalen e EFL Cup, ku do të përballet me Arsenalin, një duel që premton spektakël, sidomos duke pasur parasysh rivalitetin mes dy skuadrave edhe në garën për titullin e Ligës Premier. /GazetaExpress