Manchester City ka njoftuar sot se e ka transferuar futbollistin e Milanit, Tijjani Reijnders, i cili nënshkroi kontratë pesëvjeçare.
Mesfushori holandez u bë përforcimi i katërt i Cityt brenda një jave.
Klubi njoftoi paraprakisht se i transferoi, mesfushorin Rajan Cherkin e Lyonit dhe portierin Marcus Bettinelli nga Chelsea, derisa mbrojtësi i majtë Rayan Ait-Nouri iu bashkua ekipit të hënën nga Wolverhamptoni.
Reinders, 26 vjeç, i ishte bashkuar Milanit nga AZ Alkmaar në vitin 2023, ndërsa i shënoi 15 gola për ekipin italian në sezonin 2024/25.
Ai do ta zëvendësojë Kevin de Bruynen në “Etihad Stadium”, përcjell “Gazeta Express”.
“Jam shumë i lumtur që po nënshkruaj me Manchester Cityn”, deklaroi Reijnders.
“City është njëri prej ekipeve më të mëdha në botë, me trajnerin më të mirë, me lojtarë të klasit botëror dhe me ambiente të shkëlqyera”, shtoi ai.
“Me Guardiolën, City ka fituar shumë trofe dhe dua ta ndihmoj ekipin të vazhdojë të arrijë suksese të reja në vitet në vazhdim.”
“Është po ashtu një ëndërr që po bëhet realitet për mua që të luaj në Premierligë. Në këtë ligë kanë luajtur shumë futbollistë holandezë ndër vite dhe për mua është një inspirim që t’i ndjek hapat e tyre.”
Pas katër titujve radhazi të Premierligës, City përfundoi në vendin e tretë në sezonin e fundit dhe u eliminua herët nga Liga e Kampionëve.
Pronari i “Citizens”, Khaldoon Al Mubarak e pranoi se klubi duhet të jetë ndoshta “më agresiv” në afatin kalimtar të verës.
“Qytetarët” e mirëpritën Reijndersin, me të cilin besojnë se do të arrijnë suksese të përbashkëta. /Gazeta Express