Real Madridi ende nuk ka bërë ndonjë shitje të madhe këtë verë, me largimet që janë kufizuar kryesisht te lojtarët veteranë dhe ata të Castillas. Megjithatë, ylli brazilian Rodrygo Goes duket si një largim i mundshëm në javët e fundit të merkatos.
“Los Blancos” e kanë bërë të qartë se janë të hapur për oferta, ndërsa Rodrygo shfaqet i prirur për një kalim në Premier League. Arsenal dhe Liverpool kanë qenë klubet më të lidhura me të gjatë gjithë verës, ku “topçinjtë” kanë pyetur për një huazim me opsion ose detyrim blerjeje vitin e ardhshëm. Liverpool do të ndjekë pistën e Rodrygos vetëm nëse dështon transferimi i Alexander Isak.
Megjithatë, këtë javë ka dalë lajmi se Manchester City ka ringjallur interesin për brazilianin. Vendimi i tyre varet shumë nga një largim i mundshëm i Savinhos, i cili është në listën e Tottenham Hotspur. Spurs duhet të plotësojnë kërkesën e Cityt, që shkon mbi 50-60 milionë euro. Burime pranë çështjes i kanë thënë “Football España” se nëse arrihet marrëveshja për Savinho, atëherë City do të nisë menjëherë negociatat.
Në varësi të përfundimit të marrëveshjes për Savinho, City synon t’i afrohet Real Madridit me një ofertë prej 80 milionë eurosh plus 20 milionë euro të tjera në variabla. Arsenal dhe Liverpool ende nuk kanë diskutuar shifra kaq të larta. Agjenti Pini Zahavi po punon për këtë rast, ndërsa Paris Saint-Germain po e ndjek nga afër situatën. Interesim ka shfaqur edhe Al-Nassr nga Arabia Saudite, por Rodrygo dëshiron të mbetet në Evropë.
Një ofertë e tillë mund të çojë në marrëveshje me Real Madridin. Më herët është thënë se Florentino Perez do ta pranonte një ofertë në rangun e 100 milionë eurove, me 80 milionë si minimumin fiks që do të konsideronin. Prej aty, duket se City dhe Real Madridi mund të gjejnë një pikë të përbashkët.