Malisheva do të luajë për të dytin vit radhazi në garat evropiane.
Skuadra kosovare do të përballet sonte me ekipin islandez, Vikingur Reykjavik në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Ekipi i Bekim Isufit do të mundohet të krijojë kapital në ndeshjen e parë që do ta zhvillojë si vendëse në stadiumin “Fadil Vokrri”, para duelit të kthimit, i cili do të zhvillohet në Islandë pas një jave, shkruan “Gazeta Express”.
Mysafirët janë favoritë në letër ndaj ekipit që përfundoi në pozitën e tretë në Superligën e Kosovës në edicionin e fundit.
Megjithatë, Malisheva s’ka opsion tjetër pos fitores sonte nëse synon të kalojë në raundin tjetër, duke e pasur parasysh se ndeshjen e kthimit do ta luajë në udhëtim.
Ndeshja mes Malishevës dhe Vikingurit do të luhet sonte në Prishtinë duke filluar nga ora 20:15.
Sonte ndërkohë do të luajnë edhe ekipet tjera shqiptare.
Vllaznia e Shkodrës do t’i bëjë konak ekipit BFC Daugavpils, kurse Partizani i Tiranës do ta vizitojë ekipin Nomme Kalju FC.
E Deçiçi i Tuzit do ta presë FK Sileksin. /Gazeta Express