Njohësi i çështjeve politike Agon Maliqi, ka reaguar rreth rastit të vdekjes së 27-vjeçarit në Lipjan, Agon Zejnullahu, ku të dyshuar janë pesë policë. Maliqi ka deklaruar edhe pse policia e Kosovës shihet si profesioniste ka shenja se standardet kanë ra, shkruan Gazeta Express.
I njëjti ka deklaruar edhe se, logjika e thjeshtë tregon se policia duhet të jetë e aftë që ta neutralizojë një qytetar të paarmatosur pa e vra.
‘‘Logjika e thjeshtë thotë se policia duhet të jetë e aftë që ta neutralizojë nje qytetar të paarmatosur pa e vra. Me nivel të tillë të agresionit prej qytetarëve në gjendje të rënduar mendore besoj se një polici e çdo vendi përballet rregullisht. Përgjithësisht policia e Kosovës shihet si profesioniste dhe (për standardet rajonale) vazhdon të gëzojë besim te publiku, por ka shenja se standardet kanë ra. Faj këtu ka edhe fetishizimi kolektiv i policisë si njëfarë shënjuesi i “besnikërisë ndaj shtetit”, që na e ka humbur aftësinë për vlerësim kritik të punës së saj, e që po prodhon edhe shumë arsyetime të veprimeve të zyrtarëve policorë edhe në këtë rast, prej njerëzve që nuk po kuptojnë se është skajshmërisht joproporcionale që një njeri i paarmatosur të përfundojë i vdekur nëse ka qenë në gjendje të rënduar mendore, gjë që mund t’i ndodh shumëkujt’’, ka deklaruar ai.
Tutje, ai ka përgëzuar mediat për imponimin e transparencës në një rast që, siç ka thënë ai shumë lehtë mund të përfundonte i mbyllur në ‘’sirtare insitucionesh’’.
‘‘Përgëzime mediave për imponimin e transparencës në një rast që shumë lehtë mund të përfundonte i mbyllur në sirtare insitucionesh – publikimi i videove në këtë rast (për dallim prej rasteve të tjera abuzuese që e cënojnë privatësinë) është i arsyeshëm sepse ka interes publik në zbardhjen e të vërtetës. Tash mbetet të shihet se sa do të munden institucionet e tjera ta trajtojnë rastin në mënyrë të pavarur dhe profesionale’’, ka shkruar ai. /GazetaExpress