Maliqi për Specialen: U bë që të lahen mëkatet e Serbisë, Prokuroria është shumë agresive - Gazeta Express
string(87) "maliqi-per-specialen-u-be-qe-te-lahen-mekatet-e-serbise-prokuroria-eshte-shume-agresive"

Lajme

Gazeta Express

31/07/2025 13:08

Maliqi për Specialen: U bë që të lahen mëkatet e Serbisë, Prokuroria është shumë agresive

Lajme

Gazeta Express

31/07/2025 13:08

Politologu Agon Maliqi ka ngritur shqetësime serioze lidhur me qasjen e Prokurorisë Speciale në Hagë ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar si “jashtëzakonisht agresive” dhe të mbështetur në burime të dyshimta, përfshirë dokumente të prodhuara nga institucionet serbe.

Në një intervistë për Euronews Albania, Maliqi thekson se kjo qasje përbën një paradoks, duke qenë se vetë gjykatat ndërkombëtare e kanë shpallur shtetin serb përgjegjës për krime lufte dhe spastrim etnik në Kosovë. Ai vlerëson se besueshmëria e Prokurorisë është vënë në pikëpyetje nga shumë analistë dhe vëzhgues ndërkombëtarë që e kanë ndjekur çështjen në vijimësi.

“Nëse mbështetesh në dokumente dhe dëshmi që burojnë nga një regjim i shpallur fajtor për spastrim etnik, kjo tregon jo vetëm paradoksin, por edhe dobësinë e vetë rastit”, u shpreh Maliqi.

Ai shton se aktakuzat kundër ish-krerëve të UÇK-së nuk kanë një bazë të fortë ligjore dhe se Prokuroria është përpjekur të kompensojë mungesën e provave me dëshmi të diskutueshme dhe materiale të paprovuara.

Sipas Maliqit, mungesa e provave konkrete që vërtetojnë ekzistencën e një strukture komanduese të organizuar brenda UÇK-së është një tjetër tregues i dobësisë së çështjes.

“Kanë pasur kohë dhe burime të mëdha në dispozicion. Megjithatë, nuk kanë siguruar asnjë dëshmi të drejtpërdrejtë që provon pretendimet e tyre. Kjo tregon se po kapen pas çdo elementi të paqëndrueshëm për ta mbështetur rastin,” shton ai.

I pyetur nga gazetarja Esmeralda Mulaj për perceptimin se kjo gjykatë mund të jetë një “shpërblim” për Serbinë, Maliqi kujtoi se ky diskutim ka ekzistuar që në themelimin e Gjykatës Speciale dhe se ajo ka qenë që në fillim një barrë për shtetin e Kosovës.

“Gjithmonë ka pasur bindjen se kjo gjykatë është një mënyrë për të balancuar përgjegjësitë historike, për të larë mëkatet e Serbisë dhe për të ofruar një pasqyrë tjetër për UÇK-në – jo për drejtësi, por për qëllime politike,” tha Maliqi.

Ai thekson se ndonëse aktualisht Prokuroria është në fazën e paraqitjes së provave, procesi është ende në gjysmën e tij, pasi mbrojtja pritet të shpalosë argumentet në muajin shtator.

“Fakti që gjykata pranon këto prova nuk do të thotë se ato janë të vërteta. Ato janë materiale të një pale. Mbrojtja do të ketë hapësirën për t’i rrëzuar apo sfiduar ato në sallën e gjyqit,” përfundoi Maliqi.