Ministria e Punëve të Brendshme e Malit të Zi premton një shpërblim prej një milion eurosh për informacione që ndihmojnë në mënyrë të besueshme dhe vendimtare në identifikimin e personave përgjegjës për vrasjen e kryeredaktorit të gazetës ditore “Dan”, Dushko Jovanoviq.
Kjo vrasje ka ndodhur para 21 vjetësh në Podgoricë, shkruan gazeta vijesti.me.
Këto të dhëna janë përfshirë në një dokument të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Malit të Zi, të nënshkruar nga ministri malazez Danilo Sharanoviq.
Përmes këtij premtimi për shpërblim, Mali i Zi shpreh një vendosmëri të qartë dhe të paekuivok për të zbardhur më në fund, pas 21 vitesh, vrasjen e Jovanoviqit.
“Premtimi publik për shpërblim nuk është vetëm një masë operative e punës policore – është edhe një mesazh dhe një shenjë e përkushtimit institucional që asnjë krim, veçanërisht ai kundër lirisë së mediave, nuk mundet dhe nuk duhet të harrohet”, thuhet në dokumentin e MPB-së.
Zbardhja e kësaj vrasjeje, sipas MPB-së, është një provë e pjekurisë së institucioneve, integritetit të rendit juridik dhe gatishmërisë për të ndërprerë ciklin e mosndëshkimit.
“Në emër të drejtësisë, të së vërtetës dhe të përgjegjësisë – premtimi publik për shpërblim është një hap në këtë drejtim”, theksohet në dokumentin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Malit të Zi.
Kryeredaktori i “Dan”-it, Dushko Jovanoviq, u vra 15 minuta para mesnate, më 27 maj 2004, përpara redaksisë së gazetës, në momentin kur ai, pas përfundimit të botimit të atij numri, po përgatitej të shkonte në shtëpi.
Së fundmi, Damir Mandiq, i vetmi i dënuar me vendim të formës së prerë për bashkëpunim në këtë vrasje, e ka përfunduar dënimin prej 19 vitesh, sa ishte dënuar. /Telegrafi