Rrethi i Shkodrës vijon të jetë në krye të listës së zezë sa i takon parcelave të mbjella me kanabis. Edhe për vitin 2025 qarku i veriut kryeson listën e zonave të tjera për sa i takon zbulimit të parcelave me lëndë narkotike të evidentuara nga muaji prill deri më tani.
Referuar shifrave policore mësohet se blutë në bashkëpunim me Guardi di Finanza kanë shkatërruar 267 raste të kultivimit të kanabisit. Falë këtyre operacioneve janë asgjësuar më shumë se 140 mijë bimë dhe fidanë kanabis.
Nga ky numër, vetëm në qarkun e Shkodrës bëhet fjalë për 111 mijë fidanë, ndërsa 29 mijë të tjerë janë në zona të tjera si në Lezhë, Kurbin, Krujë apo në zonat malore të jugut.
Referuar po të njëjtave burimeve 65 mijë fidanë janë zbuluar nga pala italiane, ndërsa pjesa më e madhe është evidentuar nga kontrollet e policisë në zonat që konsiderohen me njollë të kuqe përsa i takon kanabizimit, të ndihmuara edhe nga pajisjet teknologjike si dronët etj.
Deri më tani kanë rezultuar 79 persona të implikuar ku 46 janë arrestuar, 8 janë shpallur në kërkim, ndërsa pjesa tjetër janë proceduar në gjëndje të lirë.