Makina më e madhe në botë është aq gjigante sa brenda saj mund të futet një apartament i tërë – dhe për të hyrë brenda, duhet të ngjitesh me shkallë.
Bëhet fjalë për Hummer H1 X3, një përbindësh mbi rrota që arrin një lartësi marramendëse prej rreth 6.4 metrash. Automjeti funksionon me katër motorë dizel dhe, edhe pse sot ekspozohet në muze, ai është testuar realisht në rrugë, ku ka arritur një shpejtësi maksimale prej rreth 31 km/h (19 mph).
Makina ndodhet në Sharjah Off Road History Museum, rreth 30 kilometra në veri të Dubait, ku është vizituar edhe nga kritikët e njohur të makinave Vehicle Virgins, të cilët mbetën të mahnitur nga përmasat e saj kolosale.

Duke e parë nga poshtë, krijuesi i përmbajtjes u shpreh:
“A po bëni shaka? Mund të kaloj pothuajse poshtë saj pa u përkulur. Kur keni parë ndonjëherë diçka të tillë? Brenda ka banjo, lavaman dhe duhet të qëndrosh në këmbë kur e drejton.”
Ai shtoi se dyert anësore praktikisht nuk përdoren:
“Kjo makinë është aq e madhe sa nuk hyn nga dyert. Në fakt, futesh nga poshtë dhe ngjitesh me një shkallë për të hyrë brenda. Nuk kam parë kurrë në jetën time një automjet ku duhet të përdorësh shkallë për të hipur.”
Pronari i këtij Hummer-i unik është Sheikh Hamad bin Hamdan Al Nahyan, anëtar i familjes mbretërore të Emirateve të Bashkuara Arabe. Edhe pse sot makina është pjesë e muzeut, sheiku e ka drejtuar realisht në rrugë kur u ndërtua për herë të parë.

Përmasat janë jashtë çdo standardi: Hummer H1 X3 është tre herë më i madh se një Hummer normal dhe ka 27 herë më shumë volum. Ai është rreth 6.6 metra i lartë, 14 metra i gjatë dhe 6 metra i gjerë.
Sheikh Hamad, i njohur si “Sheiku i Ylberit”, është miliarder dhe pjesë e familjes mbretërore më të pasur në botë, me një pasuri të vlerësuar rreth 260 miliardë euro. Ai zotëron plot 718 automjete, çka i ka siguruar edhe një rekord Guinness për koleksionin më të madh të makinave 4×4.
Për ndërtimin e këtij Hummer-i gjigant është përdorur korniza e një automjeti amfib ushtarak amerikan LARC-LX, me trup çeliku, për të përballuar peshën dhe dimensionet ekstreme.
Brendësia është e ndarë në dy kate:
– Kati i sipërm, që i ngjan më shumë një vile luksoze, shërben si hapësirë për mysafirë.– Kati i poshtëm përfshin tualet, kuzhinë dhe lavaman.
Së fundmi, në rrjete sociale u publikua një video e kësaj makine-monstër, ku u pretendua se çdo gomë kushton rreth 21,600 euro (18,500 paund britanikë).
Pas publikimit të videos nga Vehicle Virgins, reagimet ishin të shumta. Një komentues shkroi me emoji duke qeshur:
“Kur ke para, mund të bëhesh vërtet kreativ.”
Një tjetër shtoi:
“Tek ne do më ndalonte policia menjëherë po të drejtoja diçka të tillë.”

Ndërsa një i tretë komentoi me humor:
“Këtë Hummer e dua për apokalipsin zombie!”
Një gjë është e sigurt: ky Hummer nuk është thjesht makinë – është një ndërtesë luksoze mbi rrota. /GazetaExpress/