Mbrëmë në Teatrin Kombëtar u dha premierë shfaqja “Makbethi” me regji të Qendrim Rijanit dhe një kastë të gjerë aktorësh, të shoqëruar nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës
Tri shtriga i thonë gjeneralit skocez Makbeth se ai do të jetë Mbreti i Skocisë. I inkurajuar nga gruaja e tij, Makbethi vret mbretin, bëhet mbreti i ri dhe vret më shumë njerëz nga paranoja. Lufta civile shpërthen për të përmbysur Makbethin, duke rezultuar me më shumë vdekje.
Analizë e personazheve të Shekspirit
Heroi tragjik: në shfaqjet e Shekspirit (tragjeditë) i shohim personazhet kryesore të cilët zotërohen nga një e metë tragjike, në këtë rast Makbethi ka prirje për të qenë sundimtar tiran, i shtyer nga smira dhe lakmia. Në bazë të transformimit të tij nga fillimi në fund të shfaqjes nuk është gjithmonë i njëjti. Megjithatë, tendenca për lakmi, tirani dhe pushtet ka gjenezën që në hapje, ani pse është më pak e vërejtshme.
Lufta midis të mirës dhe të keqes: brenda personazhit kryesor edhe mund të ekzistojë herë pas here, kur e shohim Makbethin tek vuan vazhdimisht nga paranojat për vrasjet e vazhdueshme dhe tradhtinë ndaj mikut të tij, dhe vetë Mbretit, e megjithatë e keqja është mbizotëruese dhe zbeh luftën e dyfishtë. Këtë luftë më shumë e vërejmë tek ballafaqimi i personazheve, i cili është i madh në numër, aty ka vend për plot interpretime, sepse secili personazh ka karakteristika të veçanta.
Katarsis: veçoria e çlirimit të publikut përmes ndjeshmërisë që përçojnë emocionet e personazheve mbetet më autentikja në tragjeditë e Shekspirit. Edhe kur ka thyerje emocionale edhe pendime edhe pushtim të tyre nga ideja e hakmarrjes ndaj të padrejtës.
Mungesa e drejtësisë poetike: gjërat përfundojnë keq pothuajse për të gjithë edhe për personazhet ‘e drejta’. Të drejtët kanë humbje, as fitoret nuk shijojnë njësoj për ta.
Personazhet e Shekspirit karakterizohen edhe me ‘mbetjet tragjike, ‘konfliktit të brendshëm e të jashtëm’, ‘elementeve të mbinatyrshme (magjia, fantazma)’, ‘personazhet që lehtësojnë humorin’ etj.
Interpretim brenda tematikes
Shfaqja zhvillohet në kohë të largët, personazhet duhet t’i takojnë asaj kohe e tematika natyrisht që zbërthen ngjarje me pesha historike. Rënia e një mbretërie e ngritja e një pushteti totalitar na dërgon qëllimshëm përmes teorive të Mark Aurelit, Jul Cezarit e filozofëve grekë. Personazhi i Lejdi Makbeth është në fakt arsyeja e shfaqjes. Gjithçka zhvillohet në bazë të inicimeve të saj të ideve dhe ambicieve të saj. Makbeth është realizuesi i tyre, mishërohet më gruan e tij, ambicia për pushtet kalon dorë me dorë dhe e gjithë shfaqja ndikohet në të gjitha aktet nga Lejdi Makbeth. Të gjitha personazhet tjera, edhe mbreti e i biri tij, edhe lajmëtaret, ekzekutuesit, Makdafi e miku i ngushtë i Makbeth portretizojnë parimisht pozita të caktuara në mbretëri e thellësisht gjendje të caktuara të individëve e shoqërive.
Makbethi i Teatrit Kombëtar të Kosovës
Një shfaqje e domosdoshme me një numër të madh aktorësh sjell në Teatrin Kombëtar, diçka të munguar. Realizimi i Makbethit të Shekspirit i duhej publikut e teatrove tona, klasikja e gjeneza e teatrit shkëput publikun në një distancim të domosdoshëm nga teatri modern ose teatri aktual sido që të quhet. Skenografia e parë në Makbethin e realizuar me regji të Qendrim Rejanit, solli një transformim teatror të këtyre viteve që mungonte, qoftë në kohëzgjatjen e shfaqjes, qoftë në guximin për të realizuar një shfaqje të tillë e qoftë në rikthimin e njërit prej aktoreve në teatër, Luan Jahes. Jaha i cili në këtë shfaqje ishte në rolin e mbretit Duncan, bëri diferencën duke mishëruar përvojën e aparancën skenike me profesionalizëm. “Makbethi” në Teatrin Kombëtar do të duhej ta kishte në kastën e aktoreve Luan Jahen dhe mirë që e kishte.
Realizimi që mori kohë
“Makbeth” u lajmërua në maj të këtij viti dhe si duket realizimi i saj mori kohë. Gati re orë shfaqje me një investim skenografik të vërejtshem dhe kastë të madhe aktorësh, arsyeton kohen për finalizim, deri në premierë. Madje improvizimi i skenës në hapësirën e ngushtë të Amfiteatrit në Pallatin e Rinisë duket se ka qenë një sfidë në vete. Sikur Makbethi të luhej tamam në Sallën e kryesore të TKK dhe pjesa e orkestrës së Filharmonisë të mos zihej ngushtë në ato pak hapësira që kishin, madhështia e shfaqjes do të ishte dyfish më e madhe.
Megjithatë ky improvizim doli të jetë i suksesshëm duke i dhënë merita pjesës tjetër e cila nuk ishte direkt në skenë por që puna e tyre ishte prezentë për gati tri orë.
Aftësia e zhvillimit të personazheve
Nëse analizohet secili personazh veç e veç, shumica nga ta përjetojnë transformime deri tek akti i fundit kur Malcolm shpallet mbret. Shohim një Lejdi Makbeth që në TKK u luajt nga Gresa Pallaska me një bagazh lakmie, shpirtligësie e cila në fund kolapson drejt krizave mendore dhe vdes. Njëjtë ndodh me Makbethin, njëjtë ndodh me djemtë të cilët kërkojnë revansh për vrasjen e babait të tyre, që nga naivë të çiltër, shndërrohen në dyshues e dalëngadalë në hakmarrës. Personazhi i ‘Banquo’ mikut të ngushtë të Makbeth dhe kundërshtarit të tij Makdaf i cili nga fillimi proteston zgjedhjen e Makbethi-it mbret, nuk është se përjetojnë ndryshime të verejtshme e megjithatë veprimet e tyre shkaktojnë transformime tek të tjerët.
…
Makbethi është krejt një filozofi e nderthurur me stil klasik të thjeshtë e me përmbajtje komplekse. Vetë fakti që ekzistojnë mijëra forma interpetimesh mbi personazhet veç e veç, dhe shafqjën në përgjithësi, tregon për një shkrirje delikate të autorit në krijimin e tij. Makbethi si personazh kërkon të madherishmën ngritur mbi baza të paufuqishme për ta mbrojtur këtë ngritje. Kërkesa për pushtet intimidon vazhdimisht mbretëritë historike të qëndrueshme të cilat për bazë kishin mëshirën, mençurinë, zotësinë për të udhëhequr.
E dëgjojmë vazhdimisht thënien që “një burrë i lindur nga një grua nuk më mposht”, është fjala për profecinë e tri magjistareve që i referohen mbretërisë dhe pushtetit të Makbethit. Autori krijon personazhin e Makdafit i cili, e kuptojmë në fund, në fakt ka lindur nga ajo që sot e njohim si ‘lindje cezariane’, e kjo skenë nuk është që u vërejt shumë në shfaqjen që e pamë mbrëmë, ose u përmend shkarazi.
Megjithatë kundrejt roleve të luajtura nga Adrian Morina, Gresa Pallaska dhe aktorëve të tjerë, në element ishte edhe Tristian Halilaj i cili ani pse nuk portretizonte rol kyç, ishte i saktë, i vëmendshëm gjatë gjithë kohës dhe i denjë plotësisht për të qenë pjesë e këtij realizimi.
Shtojcë: Makbethi është një vepër me shumë gjasa e shkruar në vitin 1606 nga dramaturgu i famshëm anglez William Shakespeare. Si shumë nga pjesët e Shekspirit, Makbethi është një tragjedi. E vendosur në Skoci, nganjëherë quhet “shfaqja skoceze”. Ky epitet erdhi për shkak të besëtytnive në komunitetin teatror që të thuash emrin e shfaqjes me zë të lartë, veçanërisht brenda mureve të një teatri, do të bënte atë teatër të digjet. Kjo bestytni nuk është e pa shkak: që nga fillimi i tij, Makbethi ka qenë një shfaqje çuditërisht e mallkuar me prodhime të shumta që bien në flakë të mirëfillta ose duke përjetuar fatkeqësi të tjera ndonjëherë vdekjeprurëse. Sipas Royal Shakespeare Company, ekziston një histori që thotë se në prodhimin e parë të shfaqjes, kamat mbështetëse u ndërruan me ato të vërteta dhe aktori që luan Mbretin Duncan , mbretin që Makbeth vrau për të marrë fronin, në fakt u vra në skenë.
Autor: William Shakespeare
Regjisor: Qëndrim Rijani
Aktorët:
Adrian Morina
Gresa Pallaska
Shkelzen Veseli
Luan Jaha
Shkumbin Istrefi
Ilire Vinca
Semira Latifi
Faris Berisha
Ermal Sadiku
Tristan Halilaj
Flaka Latifi
Fiona Abdullahu
Basri Lushtaku
Shpejtim Kastrati
Ismet Azemi
Yzeir Meha
Dramaturge: Zoga Çeta Çitaku
Skenograf: Valentin Sfetozarev
Kostumografe: Maca Papuçevska
Kompozitor: Trimor Dhomi
Orkestra: Filharmonia e Kosovës
Koreograf: Artan Ibërshimi
As. Regjisor: Erleta Regjepi
Video: Rehan Abdulovski
Operator i audios: Arben Aliu
Video operator: Bujar Bekteshi
Inspicente: Nazmije Krasniqi
Disejni i dritave: Mursel Bekteshi
/Express