Majlinda Kelmendi: Statuja ime duhej të vendosej në Prishtinë - Gazeta Express

Sport

Gazeta Express

28/02/2020 10:09

Majlinda Kelmendi: Statuja ime duhej të vendosej në Prishtinë

Sport

Gazeta Express

28/02/2020 10:09

Sportistja më e mirë në Kosovë e zgjedhur nga Komiteti Olimpik për vitin 2019, Majlinda Kelmendi, tha se ndihet e nderuar që Federata Botërore e Xhudos e ka zgjedhur për ti ndërtuar statujë,  mirëpo shtoi se ajo statujë do të duhej të ishte vendosur në Prishtinë.

Shtatorja e kampiones Olimpike kosovare, Majlinda Kelmendi, do të përurohet sot, të premten, në vendlindjen e saj, në Pejë. Majlinda është sportistja e vetme e Kosovës me medalje Olimpike. Ajo fitoi të artën në kategorinë -52 kg të xhudos në Lojërat Olimpike RIO 2016, transmeton Gazeta Express.

Trajneri i saj, Driton Kuka, e kishte konfirmuar në korrik të vitit të kaluar, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, se Federata Botërore e Xhudos ka vendosur t’i ndërtojë statujë Majlinda Kelmendit.

Kuka kishte thënë se “artistët më të njohur në botë janë ftuar për ta punuar statujën e bronztë për Kampionen tonë Olimpike!”. Përkundër që kjo statujë u ndërtua nga Federata Botërore e Xhudos, Kuka kishte bërë të ditur se ajo do të vendoset në Kosovë dhe kërkoi sugjerime për lokacionin e saktë.

Pikërisht lokacioni ishte bërë problemi kryesor në këtë çështje, pasi që Driton Kuka thoshte se Komuna e Prishtinës s’i ka kthyer atij përgjigje qysh nga vera për lokacionin e statujës së Majlinda Kelmendit. Më vonë u vendos që ajo shtatore të ngrihet në Pejë.

“Jam shumë e lumtur, jam shumë krenare, nuk e di se sa njerëzve të gjallë ju kanë bërë statuja kështu që jam shumë e lumtur që unë jam njëra prej tyre. Më gëzon shumë fakti që më kanë përzgjedhur mua Federata Botërore se e dimë në botë sa ka xhudistë të mirë, kështu që me më përzgjedhë mua është seriozisht nder jashtëzakonisht i madh”, tha Kelmendi.

“Nuk po dua me qenë vetjake, kështu që po mendoj që kish me qenë më mirë në Prishtinë por prapë se prapë unë e di që njerëzit në Kosovë më duan shumë, më përkrahin shumë dhe nëse dëshirojnë me me pa, do të vijnë edhe në Pejë me më pa”. /Gazeta Express/