Majlinda Kelmendi, optimiste për edhe një medalje në Lojërat Olimpike - Gazeta Express

Sporte tjera

Gazeta Express

07/08/2020 15:53

Majlinda Kelmendi, optimiste për edhe një medalje në Lojërat Olimpike

Sporte tjera

Gazeta Express

07/08/2020 15:53

Në katërvjetorin e triumfit të saj në Lojërat Olimpike 2016, Majlinda Kelmendi e ka kujtuar momentin kur e fitoi garën, duke premtuar medalje edhe në Tokio verën e ardhshme, në intervistën e dhënë për Komitetin Olimpik të Kosovës.

Më 7 gusht të vitit 2016, Majlinda Kelmendi shkoi histori në Kosovë duke e fituar medaljen e parë të artë të vendit në debutimin në Lojërat Olimpike, duke bërë kështu që Kosova të jetë në mesin e 106 shteteve të botës që kanë të paktën një medalje të artë në koleksionin e tyre, transmeton Gazeta Express.

Majlinda, në atë kohë 25-vjeçare, kishte triumfuar në kategorinë e peshave deri në 52 kilogramë, pasi që e kishte mposhtur italianen Odette Giuffrida me “yoku” në finale. Pas triumfit, pejania ishte ulur në gjunjë dhe kishte filluar të qante, pak para se të shkonte te një grup i vogël i përkrahësve, të cilët po thërritnin “Kosova, Kosova!”.

Këtë herë ky përvjetor po ju gjen në Turqi në kamp përgatitor. Si po ndiheni sot në 4-vjet me medalje të artë?

Sa më shumë kohë që po kalon aq më e pabesueshme po më duket medalja e artë Olimpike. Jam shumë e lumtur dhe krenare njëkohësisht.

A keni marrë sot urime për këtë përvjetor dhe a ju ka uruar edhe ndonjë xhudiste ose personalitet i lartë në Kosovë ose jashtë vendit?

Kam marrë mjaft urime sot dhe mendoj qe medaljes Olimpike ju kanë gëzuar të gjithë shqiptarët kudo që janë.

Si ndiheni kur i shihni videot e finales apo të pranimit të medaljes, si dhe a i shikoni ende luftërat deri në finale?

Kohë pas kohe i shikoj luftërat, dhe sa herë që i shoh më emocionojnë shumë. Kujtimi është ende shumë i freskët.

Cilin moment e kujtoni më së shumti nga 7 gushti 2016. Finalen, ceremoninë e medaljeve, ngritjen e flamurit apo…?

Që të gjitha këto që i përmendët e kanë pasur domethënien e vet, secili kujtim është më i bukur se tjetri.

Çka ka ndryshuar tek Majlinda prej fitimit të medaljes së artë Olimpike?

Realisht asgjë, sepse vazhdoj me qenë Majlinda e njëjtë qysh kam qenë gjithmonë.

7 gushtin 2021 do ta festosh vetëm me medaljen e Rios, apo edhe me ndonjë medalje nga Tokio 2020?

 Besoj shumë që prej Tokios do të kthehem me medalje.