Majakovski, poeti gjenial i futurizmit - Gazeta Express
string(37) "majakovski-poeti-gjenial-i-futurizmit"

Arte

Gazeta Express

26/01/2024 14:25

Majakovski, poeti gjenial i futurizmit

Arte

Gazeta Express

26/01/2024 14:25

Vladimir Majakovski u lind në Gjeorgji (në fshatin e vogël Bagdad, që më vonë u mbiquajt me emrin e tij) më 7 korrik 1893. Në moshën 13-vjeçare, pas vdekjes së babait, që kish punuar si inspektor pyjesh, vjen në Moskë, ku Vladimiri vazhdon gjimnazin deri më 1908, kur ndërpret studimet dhe i kushtohet veprimtarisë klandestine revolucionare.

Lexon shumë dhe shkruan poezitë e para. Më 1911 pranohet në Akademinë e Pikturës, Skulpturës dhe Arkitekturës në Moskë. Njihet me poetët Viktor Hljebnikov dhe Aleksej Krucieviç e me piktorin David Burluk. Me ta, më 1917 firmos Manifestin e Futurizmit rus “Një shuplakë shijes së publikut”.

Lexo Edhe:

Talenti gjenial i poezisë futuriste, boton librin e parë me poezi, në maj të vitit 1913. Po këtë vit vë në skenë, në një teatër të vogël në Shën Pjetërburg, tragjedinë “Vladimir Majakovski”, ku edhe interpreton rolin kryesor. Më 1915, Majakovski njihet me Osip dhe Lili Brikun. Dashurohet marrëzisht me Lilin.

Po këtë vit, boton poemën e tij më të famshme “Re në pantallona”, si edhe “Flaut vertebrash”. Më 1916-ën boton poemat “Lufta dhe Universi” dhe “Njeriu”. Revolucionin e Tetorit të 1917-ës, poeti e quan “Revolucioni im”. Në vitin 1918, ai vë në skenë komedinë e tij “Misteri buf”, me skenografi të Maleviçit dhe me regji të Mejerholdit.

Gjatë viteve 1919-1922 punon në ROSTA (Agjensia Telegrafike Ruse). Më 1923, Majakovski organizon lëvizjen artistike LEFT (Fronti i Artë i Artit). Revista “LEFT” u drejtua prej Majakovskit dhe pati bashkëpunëtorë Ezenjshtenjin, Pasternakun, Babelin, Asajevin etj.

Ndërkohë udhëton në Berlin, në Paris, në Pragë, në Varshavë dhe më 1925 në Amerikë dhe Meksikë. Më 1930 shfaqet komedia e tij “Banja”, me muzikën e Shostakoviçit. Më 14 prill 1930, vret veten. Në funeralin e tij morën pjesë mbi 150.000 njerëz. Majakovski është dhe mbetet, pa dyshim, poeti udhërrëfyes dhe më i madh i Futurizmit./Hejza