Kryeministri i Serbisë duket se nuk është përditësuar me të dhënat mbi raportet diplomatike të Kosovës me shtete nëpër botë.
Kjo pasi gjatë një takimi që Gjuro Macut zhvilloi me presidentin e Senatit të Egjiptit, Abdel-Wahab Abdel-Razeq, e falënderoi këtë të fundit për “qëndrimin e këtij vendi për çështjen e Kosovës”, raporton Klankosova.
Kështu thuhet në komunikatën që kryeministria serbe e ka lëshuar për media pas këtij takimi të zhvilluar në Kajro.
“Kryeministri shprehu mirënjohjen e tij ndaj Presidentit të Senatit të Egjiptit për qëndrimin e këtij vendi në lidhje me Kosovën”, thuhet në komunikatë, “dhe ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë”, duke theksuar se Serbia “e respekton thellësisht këtë”.
Por, Republika Arabe e Egjiptit e ka njohur shtetin e Kosovës tash e gati 12 vjet.
Më 26 qershor të vitit 2013, ministri i atëhershëm i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj e pati ndarë këtë lajm në Twiter.
Ai thoshte se “njohja nga kjo republikë arabe i është kumtuar atij nga ndihmësi i presidentit të Egjiptit Mohamed Morsi”.
“Lajmi për njohjen zyrtare të Kosovës nga Egjipti, sapo është konfirmuar nga Dr. Essam al-Haddad, asistenti i presidentit të Egjiptit”, thoshte Hoxhaj asokohe.