Presidenti francez Emmanuel Macron uroi që në javët e ardhshme të ketë rifillim të dialogut Kosovë-Serbi.
Ai këtë deklaratë e bëri nga Tirana ku po mban një konferencë të përbashkët me kryeministrin shqiptar Edi Rama, raporton Gazeta Express.
Macron u pyet për shqetësimet e shprehura të BE-së për aksionet e Policisë së Kosovës në veri të vendit dhe për deklaratën e djeshme të presidentes Vjosa Osmani, e cila tha se me moslargimin e masave ndaj Kosovës BE po e humb kredibilitetin dhe se BE “po e penalizon palën që po zbaton rendin kushtetues”.
Në përgjigje, Macron tha se kërkesat e Bashkimit Europian janë shumë legjitime dhe se duhet të dilet nga situata bllokuese.
“Udhërrëfyesi është shumë i qartë dhe kemi kaluar shumë kohë me dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. BE është legjitime për të kërkuar që të ketë avancime konkrete në çështjen politike mbi zgjedhjet e komunave që s’kanë qenë të kënaqshme, për sigurinë. Kjo është e njohur s’ka asgjë të re. Mendoj që ekzigjenca nuk është humbje besueshmërie. Duhet të dalë nga kjo ballëpërballje që bllokon situatën. Uroj që javët e ardhshme të rifillojmë dialogun edhe me Prishtinën edhe me Beogradin sepse secili vend është përballur me vështirësi politike sociale. Është e rëndësishme për gjithë rajonin”.
Macron tha se duhet të ketë vullnet për të avancuar dhe se procesi s’duhet të vihet në dyshim.
“Mendoj që kërkesat janë legjitime nuk duhet të lënë të vendoset një dialog i tërthortë, s’është mënyrë korrekte për të avancuar. Të paktën duhet të kemi një vullnet për këtë, për qëllimin e avancimit sepse mendoj që për sigurinë e Europës tonë, për bashkimin e saj, duhet ta bëjmë këtë udhë. Por, është legjitime të kemi ekzigjenca për këtë gjë. Nuk është ide e mirë kurrë kur mundohemi t’i përçajmë linjat apo ta vëmë në dyshim procesin. Pra, do vazhdojmë të ecim, me forcë do të angazhojmë, ne do të shkojmë krahas partnerëve tonë europianë në mënyrë që gjërat të avancojnë në Kosovë”, ka thënë Macron.