Presidenti francez Emmanuel Macron do të nisë të martën një vizitë shtetërore tre-ditore në Mbretërinë e Bashkuar, me synimin për të forcuar marrëdhëniet me Mbretin Charles III dhe kryeministrin Keir Starmer, me bisedime që pritet të përqendrohen në Ukrainën, mbrojtjen dhe frenimin e migracionit përmes Kanalit të La Manshit.
Sipas France24, vizita do të përfshijë një fjalim të Macron në parlamentin britanik dhe përpjekje për të ringjallur marrëdhënien e ngrohtë me Mbretin Charles III, i cili ka shfaqur shpesh afrimitet me Francën dhe marrëdhëniet mes dy vendeve i ka quajtur “të pazëvendësueshme”.
Bëhet e ditur se presidenti francez do të zhvillojë gjithashtu disa takime me kryeministrin britanik Keir Starmer, i cili pas marrjes së detyrës në vitin 2024 premtoi një “rivendosje të lidhjeve” me kryeqytetet evropiane pas tensioneve të shkaktuara nga Brexit-i.
Kjo është vizita e parë shtetërore nga një udhëheqës i Bashkimit Evropian në Mbretërinë e Bashkuar që prej largimit të saj nga BE në vitin 2020, dhe e para nga një president francez që prej vizitës së Nicolas Sarkozy në vitin 2008.
Kjo vizitë, është cilësuar nga zyra e Starmer si “historike”, duke theksuar se ajo do të pasqyrojë “gjërësinë e marrëdhënies ekzistuese” midis dy vendeve.
Në deklaratën thuhet se Starmer synon të çojë përpara përparimin në çështje si lufta kundër migracionit të parregullt, forcimi i bashkëpunimit në mbrojtje dhe siguri, si dhe rritja e tregtisë dhe investimeve.