Presidenti i Francës, Emmanuel Macron siguroi sot nga Tirana se Franca do të jetë në krah të Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, me kryeministrin Edi Rama, Macron theksoi se mbyllja e negociatave me BE-në në 2027 është e arritshme, është realisht sipas tij dhe jo vetëm perspektivë.
Franca, tha ai, do të jetë krah Shqipërisë për ta shoqëruar në këto reforma dhe për ta mbrojtur, në mënyrë që meritat e saj të njihen nga të gjithë dhe që axhenda të mbahet.
Ai i shprehu urimet Ramës për fitoren në zgjedhjet e 11 majit.
“Kam besim te ajo që do të bëni ju dhe jam i lumtur për mandatin shumë të qartë që keni pasur”, theksoi Macron.
Përtej kësaj marrëdhënie dypalëshe, vijoi ai, kemi dëshiruar të shkojmë edhe më larg.
“Është Shqipëria në BE, ajo që është e rëndësishme. Dua të rishpreh këtu bindjen e plotë që kam për ribashkimin e Kontinentit Europian. Përballë sfidave të përbashkëta, Shqipëria ka treguar rrugën, ka bërë avancime të mëdha në kohët e fundit, ka hapur shumë blloqe kapitujsh të negociatave. Kam besim te ajo që do të bëni ju dhe jam i lumtur për mandatin shumë të qartë që keni pasur. Udha e Shqipërisë është shumë e qartë, drejt Bashkimit Europian. Reforma ambicioze që po bëni dhe pas këtyre blloqeve negociatash që duken shumë teknike për bashkëatdhetarët tuaj, është një udhë aventure shumë sensibël. Folëm pak për këtë udhën europiane. Franca është krahas jush për tu shoqëruar në këto reforma dhe për t’ju mbrojtur në mënyrë që meritat tuaja të njihen nga të gjithë dhe që axhenda të mbahet, sepse ju do të mbani axhendën tuaj dhe ne tonën. 2027 nuk është vetëm perspektivë, por edhe realitet”, u shpreh ai.