Macron i kujton Vuçiçit Bosnjen, Dodik falënderon Beogradin dhe paralajmëron hakmarrje pas dënimit nga gjykata - Gazeta Express
string(109) "macron-i-kujton-vucicit-bosnjen-dodik-falenderon-beogradin-dhe-paralajmeron-hakmarrje-pas-denimit-nga-gjykata"

Lajme

Gazeta Express

04/08/2025 7:49

Macron i kujton Vuçiçit Bosnjen, Dodik falënderon Beogradin dhe paralajmëron hakmarrje pas dënimit nga gjykata

Lajme

Gazeta Express

04/08/2025 7:49

Presidenti francez Emmanuel Macron ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me Aleksandar Vuçiç, ku ka theksuar se e ardhmja evropiane e Serbisë kushtëzohet me reformate brendshme dhe dialogun me Kosovën. Macron ka përfshirë në postimin e tij edhe situatën e Bosnjë‑Hercegovinës, duke theksuar rëndësinë e unitetit dhe sovranitetit të saj në mes të tensioneve të shtuara pas vendimit gjyqësor kundër Milorad Dodikut.

“Fati i Serbisë është evropian, por ky fat varet nga rruga e reformave dhe nga fryma e dialogut. Franca e vlerëson stabilitetin e Bosnjës dhe respektimin e shtetit ligjor,” deklaroi Macron pas bisedës me Vuçiçin.

Ky qëndrim i Francës vjen në një moment delikat për rajonin. Vetëm dy ditë më parë, Gjykata e Apelit e Bosnjës dhe Hercegovinës konfirmoi dënimin me një vit burg ndaj presidentit të Republika Srpska, Milorad Dodik, si dhe ndalimin e tij për mbajtjen e funksioneve publike për gati gjashtë vjet. Dodik akuzohet për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar, një prej çështjeve më të ndjeshme në Bosnje.

Pas vendimit, sot Dodik ka reaguar në platformën “X”, duke falënderuar Vuçiçin dhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Serbisë për mbështetjen e tyre.

Në postimin e sotëm në “X”, përveç falënderimit për Vuçiçin dhe Serbinë, Dodik ka lëshuar edhe një mesazh kërcënues ndaj institucioneve shtetërore të Bosnjës. Ai ka thënë se “ky vendim politik do të ketë pasoja”, duke nënkuptuar se do të vazhdojë të marrë masa kundër autoriteteve qendrore në Sarajevë dhe të intensifikojë përpjekjet për ta forcuar autonominë e Republika Srpska.

Ky mesazh është parë nga analistët si paralajmërim për hakmarrje politike dhe sinjal se Dodik nuk ka ndërmend ta pranojë vendimin gjyqësor. Retorika e tij përforcon frikën e një përshkallëzimi të tensioneve jo vetëm në Bosnje, por edhe në mbarë rajonin, veçanërisht në një kohë kur Serbia është nën presion të BE-së për dialog me Kosovën dhe për ruajtjen e stabilitetit në Ballkan.

Pse u dënua Milorad Dodik?

Milorad Dodik u shpall fajtor nga Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar, një institucion që mbikëqyr zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995.

Konkretisht, Dodik refuzoi të zbatojë vendimet e Përfaqësuesit të Lartë që ndalonin publikimin e ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Republika Srpska, të cilat sfidonin autoritetin e institucioneve shtetërore të Bosnjës. Ligjet e miratuara nga Dodik parashikonin moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe kufizimin e kompetencave të përfaqësuesit ndërkombëtar – një veprim i cilësuar si hap drejt shkëputjes së entitetit serb nga Bosnja.

Për këtë arsye, gjykata e dënoi Dodikun me një vit burg dhe i ndaloi mbajtjen e funksioneve publike për gati gjashtë vjet, vendim i konfirmuar më 1 gusht nga gjykata e apelit. Ky është një nga dënimet më të rëndësishme ndaj një lideri të lartë politik në Bosnje pas luftës së viteve ‘90 dhe shihet si test për sundimin e ligjit në vend.