Presidenti francez Emmanuel Macron ka shprehur rezerva në lidhje me takimin midis Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky, i cili po organizohet nga Presidenti i SHBA-së,Donald Trump.
Ai beson se do të ishte një hap përpara, por nuk është plotësisht i bindur.
“A mendoj se mund të jetë përfundimtar? Mbetem shumë i kujdesshëm”, tha Macron, duke theksuar se puna nuk ka mbaruar ende.
“Ne kemi një president amerikan dhe një Ukrainë që duan paqe… Nuk jam i bindur për Putinin. Kam dyshimet më të mëdha në lidhje me dëshirën e presidentit rus për paqe. Qëllimi i tij përfundimtar është të marrë sa më shumë territor të jetë e mundur, të dobësojë Ukrainën dhe të ketë një Ukrainë që nuk është e qëndrueshme më vete ose brenda sferës së ndikimit rus. Kjo është mjaft e qartë për të gjithë,” tha ai.
Macron shtoi se Trump beson se mund të arrijë një marrëveshje dhe beson se edhe Putin dëshiron paqe.
“Por nëse procesi refuzohet, të gjithë biem dakord që sanksionet kundër Rusisë do të duhet të rriten dhe, në çdo rast, do të na duhet të marrim një qëndrim që ushtron më shumë presion mbi Rusinë për t’u rikthyer në tryezën e negociatave. Kjo është në thelb ajo që u ra dakord sot. Ky është vetëm një hap. Nuk do të shpall fitoren, por kur shoh se ku ishim disa muaj më parë dhe ku jemi tani, jam shumë i kënaqur me progresin e arritur, shpjegoi Macron.
Lidhur me çështjen qendrore të garancive të sigurisë pas marrëveshjes së paqes, Macron theksoi nevojën për një “ushtri të fortë ukrainase” si dhe “forca bindëse në tokë, në ajër dhe në det që aleatët janë të gatshëm t’i ofrojnë Ukrainës”.