Presidenti francez Emmanuel Macron ka bërë thirrje të premten për krijimin e një “marrëdhënieje të re speciale” mes Bashkimit Europian dhe vendeve aziatike në rajonin Indo-Paqësor.
Sipas France24, gjatë fjalimit të tij kryesor në forumin e sigurisë Shangri-La në Singapor, Macron ka theksuar nevojën për krijimin e “koalicioneve të reja” mes vendeve të mesme, që sipas tij janë kyçe për ruajtjen e ekuilibrit dhe stabilitetit ndërkombëtar.
Bëhet e ditur se ai ka paralajmëruar se ndarja mes dy superfuqive botërore – Shteteve të Bashkuara dhe Kinës – përbën rrezikun më të madh aktual për botën.
“Na thuhet të zgjedhim anë. Nëse e bëjmë këtë, do të vrasim rendin global dhe do të shkatërrojmë sistematikisht të gjitha institucionet që kemi krijuar pas Luftës së Dytë Botërore për të ruajtur paqen,” ka thënë Macron.
Kreu i shteti francez, tutje ka theksuar se Azia dhe Europa ndajnë një interes të përbashkët për të parandaluar shpërbërjen e rendit global, ndërsa forumi i sigurisë në Azi është fokusuar këtë fundjavë në rritjen e ndikimit të Kinës, pasojat globale të luftës së Rusisë në Ukrainë dhe tensionet në rritje në Azi.
Në forumin e rëndësishëm të mbajtur në Singapor po marrin pjesë liderë botërorë, diplomatë dhe ministra mbrojtjeje, përfshirë Sekretarin Amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili merr pjesë për herë të parë në Shangri-La Dialogue, i organizuar nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike.