Egzon Pacolli nga LDK ka treguar në detaje se si organizata që e ka themeluar Ilir Dalipi, burri i Fitore Pacollit, ka fituar grante njëherë 20 mijë euro në vitin 2022, pastaj edhe një tjetër 35 mijë euro, në vitin 2024.
Pacolli në emisionin Pressing në T7, tha se ajo organizatë duhej të ishte në listën e zezë, për shkak që nuk i kishte dërguar raportet, pas fitim të grantit në vitin 2022.
“Realisht burri i Fitore Pacollit është themelues i organizatës e cila ka fituar një grant në vitin 2022, prej 32 mijë euro. Këto janë dy grante të ndara, gjatë vitit 2023, granti që është fituar në vitin 2022 prej 32 mijë euro ka mbetur i hapur, nuk kanë dërgu as raporte, gjë që nuk lejohet të njëjtës organizatë që nuk i kane mbyll avancet me i jep grant prapë. Këta në vitin 2024 ja kanë dhënë edhe grantin tjetër. Ajo organizatë është dashtë me qenë në listë të zezë”.
Tutje, ai tha se drejtor ekzekutiv i kësaj organizate është baxhanaku i burrit të Fitore Pacollit, Komtar Oskana.
“Fitorja ma ka bo bllok, e nuk muna me ja pa reagimet. Organizata që është e themeluar prej burrit të saj, e kanë vendosur drejtor ekzekutiv, Komtar Oskana, ai është burri i motrës së Fitore Pacollit, pra baxhanaku i Ilir Dalipit”, tha ai.