M/K - Gazeta Express
string(3) "m-k"

M/K

Gazeta Express

10/02/2020 19:46

Recension

Agron Y. GASHI

Lexo Edhe:

(Meliza Krasniqi: Vepra e Musinesë, monografi, IAP, Prishtinë, 2019)

M/K, Meliza Krasniqi dhe Musine Kokalari, iniciale që përkojnë me njëra–tjetrën. Një grafematikë që natyrshëm kanë figurën lidhëse mes tyre, siç do të thoshin simbolistët dhe siç do ta interpretonin strukturalistët (SZ-R. Bart). E para e gjeti udhën e studimit te vepra e së dytës, pra të autores së parë në letërsinë shqipe.

M/K ka qenë variant titulli, i menduar gjatë, por që autorja në fund e zëvendësoi me “Vepra e Musinesë”, me portretin e saj në ballinë dhe hijen e qytetit të Gjirokastrës në sfond, shenjë e mallit të jetës, e kulturës dhe e literaturës së Musine Kokalarit.

M/K, ka mbetur si shije e si shenjë e diskutimeve paraprake, një semiozë e pëlqyer edhe këtu, gjithsesi edhe një nyje në mes të studiueses dhe shkrimtares, për t’i njohur më mirë të dyja njëherësh.

Objekti dhe metoda(t)

Monografia e Meliza Krasniqit objektivon komplet veprën letrare dhe joletrare të Musine Kokalarit, si: prozën, skicat letrare dhe poezitë (të përmbledhura nga shkrimet në revista e gazeta në vëllimin “Kolla e vdekjes”, tregimet: “Siç më thotë nënua plakë” (1939), “Nënua plakë në Romë” (1940), “Rreth vatrës” (1944), romanin “…sa u tunt jeta” (1944), ditarin “Jeta ime universitare” (1940-42), studimin monografik “Naim Frashëri” (1941) dhe traktatin politik “Si lindi partia Social Demokrate”.

Krasniqi lexon dhe interpreton veprën letrare të Musinesë mbi bazën e teorive letrare që i shkojnë për faqe natyrës së shkrimit të prozës së saj, por pa e sforcuar me terma e koncepte abstrakte, duke pasur primar tekstin, pastaj duke ia pëlqyer teorinë.

Studimi nis nga analiza kontekstuale, thellohet në atë tekstuale me një gamë interpretimi socio-kulturor e antropologjik, prej nga rezulton se veprat e saj dalin në teh të modernizmit dhe realizmit. Kjo natyrë qasjeje kërkoi metoda sinkretizuese, meqë vepra e Musinesë është shumëformëshe, një shkrim që lëviz nga fakti në fiksion, nga proza me trajta hiperteksti, deri te shkrimet faktike ku ndërron diskursi i rrëfimit. Prandaj, Krasniqi, duke qenë së pari lexuese e nënvizimeve, edhe interpretimin e bën në disa plane, me referencë konceptet teorike të Zhenetit, Todorovit, Bartit, Balit etj. Natyrisht, duke u dëshmuar edhe si njohëse e koncepteve dhe metodave të përvetësuara mirë tash së voni edhe gjatë leksioneve në  Oksford.

Kontekstualiteti dhe tekstualiteti

Analiza kontekstuale këtu, nuk është thjesht një interpretim sipërfaqësor, as i zakonshëm, por një profilizim i Musine Kokalarit, duke iu shmangur totalisht shkollës pozitiviste. Profili i Musine Kokalarit formësohet mbi disa nivele statusesh autoriale: Musineja shkrimtare, Musineja studiuese dhe Musineja ideologe. Është thënë, veprën s’mund ta shkoqim totalisht nga autori, aq më tepër kur jeta e tij/sa është determinuese e zhvillimit të shkrimtarisë së tij/saj, e botimit dhe e leximit, e refuzimit dhe  e censurimit klasik, herë në variantin e tiranisë psikologjike e më shumë në trajtë të dhunës fizike. Për të qenë më i plotë, ky kontekstualizim strukturohet në pesë pamje: amza familjare, arsimi, socialiteti dhe modeli kulturor, së fundi për t’u parë si misionare politike. Përmes këtij profilizimi, Krasniqi e nxjerr të plotë figurën e  autores së vet, me theks, vizionin e saj kulturor e letrar. Ndaj, gjatë interpretimit, ajo ndjek një rend kronologjik të njësive të botimit nga domeni letrar, duke shqyrtuar me përkushtim çdo faqe të saj.

Si rrjedhojë dalin të dhëna interesante, të cilat disa prej tyre po jua sjellim në trajtë biologemash të zgjedhura, herë nga Krasniqi, herë nga autorët të cilët ajo i ka cituar, që për një pjesë të lexuesve (mbase) vijnë për herë të parë.

  1. Sipas pemës gjenealogjike të familjes së Musinesë, identifikohet se të parët e saj vinin nga fisi i Hoxhajve. Kjo dëshmohet edhe me anë të letërnjoftimit të Musinesë, të lëshuar në qershor të vitit 1925 nën emrin Muhsine Hoxha Kokalari. Stërgjyshi i saj, i mbetur jetim, i rritur tek dajat në Kokalaraj, merr këtë mbiemër, i cili ndërrohet plotësisht, nga Hoxha në Kokalari në vitin 1930. Gjyshi i Musinesë, Hamiti i parë, kishte kryer shkollën teologjike dhe filozofike në Turqi dhe ishte kthyer myfti në Gjirokastër. Niveli kulturor i tij dhe dashuria për dijen bënë që të birin Reshatin ta dërgojë për studime në Turqi. Nuk ka të dhëna të tjera për Hamitin e parë. Reshat Kokalari (1875 – 1946), babai i Musinesë, kreu studimet në Universitetin e Stambollit në fakultetin juridik më 1905. Aty punon si kryetar gjyqi, caktohet edhe në disa pozita të tjera, derisa në vitin 1920 kthehet me familje në Gjirokastër si avokat. Vazhdon po të njëjtin profesion edhe në Tiranë deri më 1942. Fëmijët e tij ishin: Muntazi, Vesimi, Hamiti dhe Musineja.”
  • “Si 14 vjeçare Musineja u vendos në ambientet e shkollës dhe në konvikt, ku të gjitha mësimet bëheshin në gjuhën angleze, por kishte edhe mësuese italiane, franceze etj. Në këtë tempull ku për çdo ditë këndohej himni i flamurit, jetohej me orar, me disiplinë e shumë detyrime. Në një ambient të tillë Musineja rrinte në një dhomë me Dita Osmanin që ishte edhe mësuesja e saj e pianos dhe e cila adhuronte Betovenin e Shopenin. Lidhja e drejtpërdrejtë edhe me muzikën bën që Musineja jo vetëm të formohej intelektualisht, por edhe të evokonte emocione, duke shkruar poezi me vrull.”
  •   “Me Andrea Varfin ishte njohur në vitin 1935, në librarinë e të vëllait, Vesim Kokalari,  Venus. Ai ia kishte propozuar pseudonim Muza, sepse Musineja sapo kishte filluar të shkruante. Sipas Varfit, Musineja lexonte shumë dhe të dy këmbenin pikëpamje për shkrimtarë të njohur dhe për filozofë si Niçeja e Spinoza”.
  • “Lasgush Poradeci, Musinenë e quante shoqe shkrimi e kolege. Në bazë të korrespodencës, të vënë në dispozicion nga vajza e poetit, Marie Gusho, letrat ishin të verës së vitit 1940. Në këtë bisedë letrash kuptojmë se Poradeci kishte admiruar veprën e saj “Siç më thotë nënua plakë” dhe kishte shprehur dëshirë të shkruajë një recension për të. Përveç këtij raporti, Lasgushi i ishte shumë mirënjohës Musinesë, e cila i ndihmonte bashkëshortes së tij Nafije Mema – Gusho rreth formaliteteve universitare në Romë; Znj. Nafije kishte regjistruar magjistraturën në pedagogji dhe filozofi. Midis këtyre letrave mësojmë edhe për një tjetër emër të rëndësishëm që vlerëson dhe flet mirë për Musinenë. Ernest Koliqi, në atë kohë ministër i Arsimit, në mbledhjen letrare të datës 23 korrik 1940, përmend Musinenë ku e dëgjojnë edhe mospranonjësit. Veç kësaj, dy vjet më pas, ai e fton të shkruajë për revistën Shkëndija në fushën e kulturës shqiptare. Si bashkëpunëtore e re, ai kishte menduar që ajo të shkruajë artikuj mbi subjekte të ndryshme letrare.”
  • “Ndikim të fuqishëm në formimin e Musinesë, e sidomos në shkrimin e tezës së diplomës, kishte padyshim edhe Mit’hat Frashëri.  Mit’hati ishte mik i saj dhe i familjes, ai e kishte ndihmuar të kryente kërkimet arkivore dhe vlerëson punën e saj aq sa dëshiron ta citojë në biografinë e tij për Naimin. Në anën tjetër Musineja në shenjë mirënjohjeje, studimin për Naim Frashërin ia dedikon pikërisht Mit’hatit me fjalët: “Z. Mid’hat Frashërit, i kushtoi studimin e “Poetit Patriot” si shenjë respekti dhe falënderimi”.

Kronologjia shndërrohet në një triadë kërkimi, si në rrafshin diakronik (të dhënat e botimeve), po ashtu edhe në atë kulturor e politik. Kjo është gjetja dhe zgjedhja më e mirë për ta vlerësuar Musine Kokalarin në një monografi siç është kjo, e para dhe më e plota deri më sot.

Krasniqi vë në pah edhe konceptet politike të Musinesë, duke e parë si homo politicus me orientim socialdemokrat, një shkrirje ne mes të së majtës (shoqërisë) dhe të djathtës përballë homo poetic-usit, të cilën “Kolla e vdekjes” e “tunti” jetën e saj deri në amshim.

Interpretimin kontekstual e nis me “Kolla e vdekjes”. Krasniqi bën një analizë të rrethanave historike (pa kaluar në historicizëm) dhe vlimet politike e kulturore në botë, përkatësisht se si reflekton pasqyra e qytetërimit perëndimor midis dy luftërave botërore, atëherë kur më shumë se kapitalizmi rritet “depresioni ekonomik” dhe “ideologjitë totalitare” ngrenë krye. Krasniqi, edhe pse njeh mirë konceptet politike, diskursi kritik ngrihet mbi esencat letrare.

“Në këto rrethana, në këtë ambient të kthyer kokëposhtë, çfarë mund të ketë qenë roli i shkrimtarëve? Si do të duhej një shkrimtar t’i përgjigjej varfërisë dhe urisë, në kohën e ngritjes së Hitlerit në Gjermani dhe Luftës Civile në Spanjë? Padyshim, ata nuk do të vazhdojnë, sikur më herët, të shpalosin botën shpirtërore apo ndjeshmërinë artistike e estetike të teksteve. Poezia, skica dhe tregimi i shkurtër në këtë kohë, si forma letrare mbizotëruese, shpesh shihen të ndikuara nga dinamika e zhvillimeve jetësore, duke reprezentuar njeriun e ditës, realitetin e hidhur dhe tjetërsimin e individit në aspektin fizik e moral që lidhet me varfërinë dhe mungesën e lirisë.”

Po ashtu, Krasniqi dëshmon se njeh shkollat letrare dhe shpërthimet ideologjike, lëvizjet historike që kishin impakt në letërsi. Kështu, ajo shpalon kohë (nga çereku i parë i shek.. XX), poetika (estetikën realiste), forma (modelet e prozës), modelin kulturor (brezin e humbur):

“Kjo periudhë kohore e quajtur shkollë realiste, diku simboliste apo edhe letërsi sociale, midis dy luftërave botërore, por edhe pas Luftës së Dytë, në kuptimin më të gjerë, në letërsi solli frymën e zhgënjimit dhe të humbjes së idealeve të larta. Shtetet e Bashkuara, të gjunjëzuara nga kriza ekonomike botërore u përfaqësuan me shkrimtarë të rinj të quajtur edhe brezi i humbur: Ernest Heminguej, Teodor Drajzer, Gertrud Shtajn, F. Skot Fitzgerald dhe T.S. Eliot. Ky brez që u nxit të shkruajë për përvojën e jashtëzakonshme të jetës e të vdekjes, të përjetuar në luftë, u emërtua sipas termit të Ezra Paundit.”

Për të përfunduar se: “Gjithë këto rrethana historike janë faktorë të rëndësishëm, sepse bënë që të kultivohej një letërsi me forma të reja, me një poetikë të veten. Kultivohej zhanri i shkurtër, shmangej shprehja abstrakte dhe hermetike dhe shërbehej me vërtetësi e qartësi realiteti jetësor, me një gjuhë të thjeshtë, të kuptueshme e të afërt për të gjithë.”

Ky shqyrtim analitik diakronik jep dimensione edhe të letrave shqipe, ndaj vështrimin e saj si në planin sintagmatik (shpërthimin, evoluimin letrar) dhe paradigmatik si pandan i letërsisë së përbotshme, veprën e Musinesë e bën edhe më autentike. Ndaj përbrenda planit sintagmatik nuk kishte si të mos e vinte përballë Migjenit, përballje kjo e parë në mes këtyre dy figurave pothuaj të të njëjtit brez. Te Musineja dhe Migjeni, Krasniqi heton një ‘dialogim’ në mes kodeve tematike e motivore, si autorë të një poetike sui generis “të viteve të trazuara të fillimshekullit njëzetë”, që, sipas saj, përqafuan estetikën realiste, por edhe avangarde, duke i thyer tabutë në tema e forma (vargu), deri te një letërsi e psikologjisë së individit. Edhe pse kemi të bëjmë me një autore jugore dhe tjetri veriak, Krasniqi gjen pika përbashkimi, si: liria e formës, mungesa e sentimentit, lodhjen logjike në mes mendimeve dhe ndjenjave, futjen në subkoshiencën e individit dhe kodet kulturore. Sipas Krasniqit, përqasja “mbetet vetëm në nivel formal, sepse tema del e ngjashme në disa poezi e skica të tjera të Migjenit. Megjithatë vargu i parë i autorit “Mbramë një erë e ftohtë acar fryni nga ana e maleve” dhe vargu i parë te poetja “Era fryn, fryn me tërbim”, e kanë të përbashkët  simbolin e simbolikën e përfaqësimit të lirisë, qëndrimin mendjehapur, por edhe një ndjenjë shkujdesjeje. Sipas saj, era e Migjenit lidhet me simbolin e ndryshimit, sjelljen e diçkaje të re, duke fshirë të vjetrën, ndërsa era e Kokalarit asocion me fenomenin e ndryshimit natyror që shënjon një fund dramatik. Nëse ky krahasim është rezultat i leximit të librin poetik “Kolla e vdekjes”, te “Siç më thotë Nënua Plakë” analizon tekstin  e kontekstin, strukturën dhe modusin narrativ, po edhe zhanrin. Tutje, heton risitë në kode e subkode letrare dhe stilistike, në tema dhe ide, nga skica e deri te eksperimenti formal. Gjithashtu evidenton konfliktin si shenja dramatike të përthyerjeve të kufijve në mes zhanreve, identifikon natyrën e motiveve, si: grindjen, kundërshtimin, herë si skaje e herë si simbioza tekstuale. Interpretimi teorik zë vend më shumë te shfaqja formale dhe analiza e diskursit letrar, te teknikat e rrëfimit, një kalim ky nga analiza zhanrore në narratologji. Po ashtu, një qasje e lehtë bëhet përherë në planin filologjik, sidomos kur dekonstrukton sintagmat poetike. Gjatë interpretimit, ilustrimet e zgjedhura fill e fund gjithnjë i përgjigjen kërkesave të studimit.

Krasniqi, përderisa flet për zhanrin, ka parasysh përcaktimin autorial si novela. Ky edhe është përcaktimi i parë (përkufizimi), përderisa ajo ndjek udhën e përkufizimit të Lasgushit, të cilat i cilësonte si skica. Në mes novelave dhe skicave, Krasniqi pajtohet me interpretimin e Rugovës, i cili tekstet e Musinesë i quan njëherësh “tregime e skica”. Prandaj, në mes të tri përcaktimeve, Musinesë, Lasgushit dhe Rugovës, Krasniqi vjen në përfundime të sakta zhanrore. Sipas saj, në skicë ngjarja ravijëzohet në disa lëvizje në mënyrë të thjeshtëzuar, pa u thelluar shkrimtari në intrigë, për të vazhduar se, skica letrare është: a –vizatim në vija të trasha, b – nuk ka intrigë (është përshkrues), c – mund  të plotësohet më pas. Dhe, krejt në fund, konkludon se “tekstet e Kokalarit janë tregime të shkurtra”.

Përderisa diskuton për forma të shkurta letrare, studiuesja Krasniqi bën një kërkim tjetër të fenomenit; analizon minimalizmin në letërsi dhe tregimet minimaliste të Kokalarit, në veçanti. Ajo, duke qëmtuar për formën minimaliste, analizon statusin e personazheve, formën,  përshkrimin, deri te shfaqja e mozaikut letrar minimalist. Në këtë kontekst, iu referohet kritereve të cilat e bëjnë një tekst të jetë minimalist, si: (1) ai është tregim i hapur, i thjeshtë, i qartë; (2) tregimi fillon in medias res pa përshkrime paraprake; (3) tregimi niset nga e veçanta (situatë a personazh i veçantë), tek një model më i ndërlikuar e i përgjithshëm (tipik); (4) te këto tregime më shumë dominon dialogu sesa përshkrimi pa ndërhyrje të narratorit; (5) personazhet nuk janë heronj, ata u ngjajnë njerëzve të zakonshëm në jetën e përditshme.

 Te “Nenua plakë në Romë” analizon strukturën e tregimeve, si shkrime me tezë. Kësaj here autorja aplikon kritikën gjenetike, kur vepra konsiderohet e shihet si proces, që nga fazat paratekstore. Së këndejmi, jep atributet e një novele të serializuar, për shkak të procesit të botimit në seri, me porosi, në gazetën “Tomorri”. Kur flet për avantekstin konstaton se atë e përbëjnë dy shkrime, duke parë me kujdes variantet e tyre. Ndërsa tregimet “Rreth vatrës”, në optiken e saj, dalin si strukturë integrale e përrallave dhe formave të tjera të thjeshta, tutje për t’i parë si shkrim në sistem; përfundon njëri dhe po me të njëjtin tekst nis tjetri. Krasniqi këtë sistem  narrativ e koncepton si  “sistem mozaik”, si rrjedhojë e ndërfutjeve dhe niveleve narrative që kanë funksion formal nëpër tri shkallë të narracionit: ekstradiegjetik, intradiegjetik dhe metadiegjetik.

Pra, te vepra “Rreth vatrës” lëshohet në analizë strukturore e strukturaliste, nga analiza e titujve, struktura narrative e deri te raportet intertekstuale. Këtu, ajo dekonstrukton tekstin, sidomos në relacion me përrallën, duke nënvizuar intertekstualitetin, paratekstualitetin, metatekstualitetin, hipertesktualitetin dhe arkitekstualitetin. Modeli i tillë teorik gjatë kërkimit empirik ilustrohet qartë me fragmente konkrete, madje edhe me modelet e letërsisë së përbotshme.

Veprën “Sau tunt jeta”, Krasniqi e trajton si strukturë komplekse romansore, por edhe si projekt eksperimentimi, gjithnjë duke e parë në raport me letërsinë që është krijuar në vitet njëzetë e tridhjetë të shekullit të kaluar. Tash natyra e interpretimit është më gjithëpërfshirëse. Hetohen shenjat etnografike dhe antropologjike, për faktin se “sa u tunt jeta”, sipas Krasniqit, është teksti më i veçantë i Kokalarit, “një  rrëfim jotipik” për momentet më të rëndësishme të jetës së njeriut – dasmën, ku theksohet prirja e Musinesë për letërsi dhe etnologji, modeli dhe portretizimi i personazheve (gra), interteksti oral eksplicit, si dhe komenti në formë shpjegimi i kapitullit “Duke mbaruar…” që sugjeron leximin e gjithë tekstit.” Në këtë mënyrë, analiza e Krasniqit ecën midis letërsisë dhe etnografisë, aty ku fiksioni ka referenca të jashtme.

Prandaj, Krasniqi, përveç tjerash ndërton një etno dhe antropoetikë që i përgjigjet modelit zhnaror, natyrës së shkrimit te “sa u tunt jeta”. Po ashtu, ajo kalon ngadalë nga tekstet që esencë kanë letërsinë, te tekstet që esencë kanë faktin, siç është “Jeta ime universitare”, që sipas autores kanë statusin e një subzhanri autobiografik me anim kah kujtimet. Ajo, duke pasur për bazë teorinë e autobiografisë së Bartit, Paskalit, interpreton edhe njësitë më të vogla biografike, herë si biografema e herë si diskurs në tri rangje formale: informatë, rrëfim dhe përshkrim, deri te një pakt i besueshmërisë, tashmë i njohur si pakt autobiografik i proklamuar Lëzheni.

Metakritika e Krasniqit përfshin kritikën e Kokalarit, konkretisht monografinë studimore për Naim Frashërin, në radhë të parë dhe kritikën e studiuesve bashkëkohorë për veprën e Kokalarit. Sipas Krasniqit, metoda e Kokalarit në studimin për Naimin, si model teorik, i afrohet pozitivizmit, ndërsa në rrafshin e analizës ndjek analizën tematike, por gjithnjë e kudo me shenja socio-kulturore.

Përfundimisht, monografia “Vepra e Musinesë” është shembull unikat, ku subjekti dhe objekti i ngjajnë njëri – tjetrit, si pamje, si ambicie, si kulturë, duke marrë e dhënë nga njëra – tjetra. Musineja e ardhun për Melizën, Meliza tashmë e pjekun për Musinenë, një model që ka me u lexu edhe si një binom në dy kohë, si literaturë e kulturë, si poetikë e estetikë njëkohësisht.