LVV në një sulm gjithëditor ndaj ambasadorëve: "Po punojnë për hesape të ngushta", "po ndërhyjnë", "s’mund të na tregojnë ata, pse me i dëgju?" - Gazeta Express
string(131) "lvv-ne-nje-sulm-gjitheditor-ndaj-ambasadoreve-po-punojne-per-hesape-te-ngushta-po-nderhyjne-smund-te-na-tregojne-ata-pse-me-i-degju"

Lajme

Gazeta Express

02/09/2025 13:54

LVV në një sulm gjithëditor ndaj ambasadorëve: “Po punojnë për hesape të ngushta”, “po ndërhyjnë”, “s’mund të na tregojnë ata, pse me i dëgju?”

Lajme

Gazeta Express

02/09/2025 13:54

Ambasadorët e shteteve të QUINT-it në Kosovë, që zakonisht kanë qenë adresë e rëndësishme për liderët e vendit për konsultime, u sulmuan dje nga Lëvizja Vetëvendosje. Anëtari i LVV-së në KQZ, Alban Krasniqi, tha se ata po e mbronin Listën Serbe “për hesape të tyre të ngushta apo edhe të karrierës së tyre politike”. Kolegu i tij, Sami Kurteshi, foli për “ndërhyrje e drejtpërdrejtë” të ambasadave në sistemin gjyqësor të vendit. Si për ta vulosur këtë qëndrim partiak, Albulena Haxhiu, nënkryetare e partisë, nënkryetare e Kuvendit, që e udhëhoqi Ministrinë e Drejtësisë për gati pesë vjet, pyeti “pse me i dëgju qëndrimet e dikujt tjetër?”, ndërsa foli për diplomatët e huaj. Ambasadorit të Gjermanisë, Jorn Rohde, i tha se ai s’mund t’u tregojë çfarë të bëjnë.

Gazeta Express

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sipas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ishte e obliguar që të hënën ta certifikonte Listën Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Dhe ashtu u bë.

Alban Krasniqi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, i akuzoi ambasadorët e shteteve perëndimore se po e marrin në mbrojtje partinë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Ai e quajti “koordinim kriminal të organeve tona të drejtësisë” një vendim të Gjykatës Supreme për ta hedhur poshtë një ankesë të LVV-së lidhur me certifikimin e Listës Serbe. Zenel Lekun, një gjyqtar të Supremes, e sulmoi specifikisht, duke bërë një lidhje në një krahasim banal të emrit të tij me atë të kryetarit të Listës Serbe, Zlatan Elek. Tha se ata që vendosën për ta hedhur poshtë ankesën e LVV-së do të japin përgjegjësi “herdokur”.

Krasniqi tha se “shteti nuk duhet me ra në nivelin e këtyre presioneve”, ndërsa përmendi “diplomatët e huaj” që tha se po mundohen ta “legalizojnë” këtë parti. Vendimi i Supremes, sipas tij, “është një vendimmarrje e qëllimshme, si rezultat i presioneve”.

“Në komunat ku Lista Serbe pretendon të garojë, aty nuk do të ketë demokraci. E dinë prej ambasadorit e përfaqësuesit të BE-së, e gjithë këta të tjerët që janë të QUINT-it, e dinë shumë mirë sepse vetë e kanë deklaruar me radhë. Por, edhe ata fatkeqësisht janë duke u vënë në mbrojtje të organizatave kriminale në vend për hesape të tyre të ngushta apo edhe të karrierës së tyre politike”, tha ai.

Kolegu i tij, anëtari tjetër i LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi pati akuza të ngjashme dhe këto i konkretizoi më shumë në mbrëmje, gjatë një interviste në Interaktiv të KTV-së.

“E rrëzuan gjykatat (vendimin për moscertifikimin e Listës Serbe), jo institucionet tona. Dhe gjykatat e rrëzuan nën presion. E unë prapë po u them kështu: nuk ka gjykatës në Republikën e Kosovës, edhe prokuror, që kishte me kundërshtuar një deklaratë publike të ambasadave të huaja, sidomos asaj amerikane. Nuk ka. Pra, kjo flet për pavarësinë e gjyqësorit”, tha ai.

Kurteshi tha se “deklaratat publike të ambasadave të vendeve të QUINT-it janë hipokrizi arrogante, ndërhyrje e drejtpërdrejtë në sistemin gjyqësor të Kosovës”.

Paralelisht, në televizionin tjetër, Kanal 10, Albulena Haxhiu, e cila deri të shtunën e ushtroi pozitën e ministres së Drejtësisë, tha se “është e rëndësishme që të gjithë diplomatët në Kosovë me e kry punën e vet, por jo me ndërhy në punën e askujt tjetër”.

Ajo tha se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ua ka thënë ambasadorëve të shteteve të QUINT-it qëndrimin për çështjen e certifikimit të Listës Serbe.

“Pse me i dëgju qëndrimet e dikujt tjetër?”, tha Haxhiu, që është edhe bashkëshortja e Alban Krasniqit, anëtarit të LVV-së në KQZ. “Nëse je parti politike, analizoje situatën, ndërtoje qëndrimin bazuar në prova, fakte, edhe mbaje atë, pavarësisht presioneve që mund të vijnë nga kushdo”.

Sipas saj ishte gabim një deklaratë e ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde se do të ishte më mirë të ishte investuar në një rrugë, sesa në ndërtimin e urave të tjera mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Këtu, ajo nuk u përmbajt.

“Gabim. Mendoj që është gabim. Nuk është kjo çështje e ambasadorit gjerman. Nuk mundet me na tregu neve ambasadori gjerman për këtë”.

“Paramendoje ti, ambasadori ynë në Gjermani me pasë deklarime të tilla. Menjëherë, jam e bindur që dërgojnë notë proteste dhe kërkojnë tërheqjen e tij”, tha ajo.