LVV-ja ende pa ftesa për opozitën - Gazeta Express
string(33) "lvv-ja-ende-pa-ftesa-per-opoziten"

Lajme

Gazeta Express

27/03/2026 8:21

LVV-ja ende pa ftesa për opozitën

Lajme

Gazeta Express

27/03/2026 8:21

 Ndonëse vendimi i së mërkurës i Gjykatës Kushtetuese i ka hapur rrugë punimeve në Kuvend, që brenda 34 ditësh deputetët duhet ta zgjedhin presidentin e ri, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu dhe Lëvizja Vetëvendosje ende nuk kanë thirrur seancë për të proceduar me zgjedhjen e presidentit.

Kryeministri Kurti nuk u ka dërguar ftesë për takim partive opozitare për të siguruar 80 votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit.

Deputeti i LVV-së, Enver Haliti, paralajmëroi se në ditët në vijim Kurti do ta ftojë opozitën, në përpjekje për të shmangur zgjedhjet.

“Unë besoj se do të ketë prapë ftesa, për shkak se ne e dimë që, derisa ishte në shqyrtim dekreti i presidentes në Gjykatën Kushtetuese, kryeministri Albin Kurti u kishte dërguar ftesa për takim, por ato u refuzuan me arsyetimin se po pritej aktgjykimi. Më pas, ata janë shprehur të gatshëm të takohen për të parë hapat tutje. Nuk shoh asnjë arsye që partitë opozitare ta refuzojnë një takim, në mënyrë që të gjejmë një rrugë përpara dhe të shmangen zgjedhjet.”, tha Haliti.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se nuk ka pranuar ftesë nga Kurti për takim. Por, nuk ka bërë të ditur nëse do t’i përgjigjen pozitivisht një ftese të mundshme.  PDK-ja gjatë ditës ka mbajtur mbledhje të Kryesisë, në të cilën janë dakorduar që brenda pak ditësh të thërrasin mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë për të vendosur për hapat e mëtejmë.

“Vendimi ynë sot është që do të thërrasim mbledhjen e këshillit drejtues brenda pak ditësh ku do t’i marrim vendimet për veprimet e ardhshme”, tha ajo. Siç jemi deklaruar edhe dje, PDK i respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese.’’, tha Çitaku.

Ndërkohë, në LDK thonë se mbeten të gatshëm të kontribuojnë në çdo përpjekje serioze për një zgjidhje që garanton stabilitet dhe funksionim normal të institucioneve. Deputetja e këtij subjekti politik, Janina Ymeri, kritikon LVV-në për mungesë vullneti për të ofruar zgjidhje.

“LDK-ja e ka përkrahur vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nëse ka vullnet politik nga partia në pushtet, edhe tri ditë janë të mjaftueshme, e jo 34. Pra, 34 ditë janë më se të mjaftueshme për të gjetur një president apo presidente konsensuale. Nuk do të thotë që kandidati duhet të jetë partiak apo jopartiak; ai duhet të pranohet nga të gjitha subjektet politike, dhe kjo mjafton.”, tha Ymeri.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ia hedh fajin Vetëvendosjes për bllokadën në zgjedhjen e presidentit të ri. Tahiri vlerëson se Kurti nuk është i interesuar të gjejë një figurë konsensuale për president; siç thotë ai, synimi i Kurtit është të udhëheqë me tri institucionet qendrore për të krijuar autokraci.

“Në këtë situatë kemi ardhur për shkak se LVV-ja, me vetëm 66 vota, ka vendosur që në ditët e fundit të propozojë kandidat të partisë së vet, në mënyrë që ta marrë pozicionin e presidentit dhe që tri pushtetet Presidenca, Kuvendi dhe Qeveria – të jenë në dorën e tyre, edhe pse nuk i takon, sepse nuk i ka 80 vota. Të shohim nëse Vetëvendosje do të reflektojë gjatë këtyre 34 ditëve për një president që përfaqëson unitetin e popullit. Deri tani nuk e kemi parë. Ajo që kemi parë është se Kosova paska mbetur vetëm në njerëz të LVV-së, dhe kjo nuk duhet të ndodhë në demokraci.”, tha Tahiri.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, deputetët e Kuvendit duhet që brenda 34 ditëve nga publikimi i vendimit që të zgjedhin presidentin e ri, ndryshe Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe vendi shkon në zgjedhje brenda 45 ditësh.

Advertisement
Advertisement
Advertisement