Lutfi Çekiri, naftëtaret që po vdesin dhe cinizmi i Kryeministrit - Gazeta Express
string(64) "lutfi-cekiri-naftetaret-qe-po-vdesin-dhe-cinizmi-i-kryeministrit"

Ermal Mulosmani

28/10/2020 15:10

Lutfi Çekiri, naftëtaret që po vdesin dhe cinizmi i Kryeministrit

Ermal Mulosmani

28/10/2020 15:10

1.

Të shtunën e kaluar, në mes zallamahisë së vizitorëve të Qendrës Spitalore, gazetarja e Fax News, Fjona Çela, dalloi në një cep, një burrë të ulur në bordurë, me duar në bark e maskë në fytyrë dhe një grua që i rrinte në këmbë si mishërim i dhimbjes dhe pafuqisë.

Sa të tillë ndeshim përditë për fatin e nesërm të të cilëve nuk dijmë gjë. I shohim me trishtim dhe nxitojmë për të arritur në destinacionin tonë, sidoqoftë më pak tragjik sesa pamja që sapo lamë.

Gazetares së re ia tërhoqi vëmendjen kjo skenë migjeniane, ky etyd mjerimi. U afroi mikrofonin të ngratëve që ishin dorëzuar. Kishin ardhë me taksi, nga Ndroqi me shpresën të dorëzoheshin te shteti, te “mjekësia falas e për të gjithë” siç  shohin dhe e dëgjojnë përditë në fjalimet e Kryeministrit.

Një burrë 53 vjeçar, që vjen nga fshati, me taksi për në spital është padyshim në gjendje të rëndë. Ai ka bërë gjithë rezistencën e mundshme për të mos u dorëzuar, ka duruar fort dhimbje deri sa erdh ora e tha: “Më duhet të nisem për spital”! Ai e mposhti sedrën dhe kërkoi taksi me shpresën që fundi i atij udhëtimi t’ia lehtësojë pak dhimbjen, atij e të shoqes që e mban për krahu.

Është e kotë. Nga QSUT në Laprakë, nga Infektivi te sëmundjet e brendshme të gjithë i thonë “je për tjetrin”  e askush nuk pranon ta shtrojë. I lodhur e i dërrmuar, Lutfiu ulet në bordurë e pranon fatin e tij në pritje të ndonjë mundësie për t’u kthyer në fshat. Këtu i gjeti gazetarja që u kërkoi të tregonin historinë e tyre të trishtuar.

Lutfi Çakiri vdiq atë natë në darkë. Nuk dihet a e pa intervistën e tij të fundit, protestën për fatin e tij. Nëse  nuk do të ishte ajo intervistë askush nuk do kishte dëgjuar për të. Do të ishte një numër më shumë në statistikat e të vdekurve të asaj dite.

Mirëpo ajo intervistë krejt e rastësishme dhe vdekja e Lutfiut tregojnë më shumë për sistemin shëndetësor sesa çdo fjalë e Kryeministrit. “Mjekësia falas e për të gjithë” është një broçkull. Një dhimbje stomaku mund të vdesë një 53 vjeçar sepse ai është i varfër dhe pa miq. Sa të tjerë kanë vdekur në kushte të përafërta por nuk kanë lënë dot dëshmi të neglizhencës mjekësore deri në krim shtetëror?

2.

Prej vitesh të tëra naftëtarët e Rafinerisë së Fierit janë në protestë të vazhdueshme. Blerësi i hershëm i asaj rafinerie, Rezart Taçi, i pagoi një shumë të majme shtetit shqiptar, plot 128 milionë Euro. Sipas Ministrit të atëhershëm të Ekonomisë, Genc Ruli, shuma e ofruar ishte pothuaj dyfishi i asaj të pretenduar nga studimi i kompanisë konsulente amerikane.

Rezart Taçi, pasi e moli mirë e mirë Armo-n e çoi në buzë të falimentit. Çdo blerës i ri ka qenë me reputacion të dyshimtë dhe ka vazhduar me të njëjtin stil : Premton investime, shlyerje detyrimesh dhe rigjallërim të Rafinerisë. Mirëpo rregullisht, pas çdo viti zhytet në kolaps shton borxhet, nuk paguan punëtorët dhe ndërpret prodhimin.  

Në Nëntor të vitit 2016, Kryeministri Rama prezanton investitorin e radhës, një amerikan me emrin Harry Sargeant, edhe ai i dyshimtë siç mund ta lexoni këtu. Gjatë atij prezantimi Rama deklaroi:

“Me këta investitorë që dolën më të vendosurit për ta çuar këtë punë përpara, kushti i vetëm ka qenë që ditën e parë që gjithë këtyre njerëzve iu duhen paguar rrogat e prapambetura dhe duhen siguruar”.

 Ja dhe video ku e thotë këtë gjë.

Momenti kur e bëri këtë gjë ishte 8 muaj përpara zgjedhjeve të 2017-ës. Ishte një arsye e fortë që naftëtarët të bekonin qeverisjen për të mirën që po ua bënte pasi “detyrimi i rrogave ishte i privatit jo i shtetit“. Paçka se këtu nuk dihet se ku mbaron shteti e ku fillon privati…

Mirëpo siç duket as Sargeant nuk ia plotësoi kushtin Kryeministrit….

Protestat e naftëtarëve janë përshkallëzuar prej  një muaji në grevë urie. Fillimisht ishin burrat ata që zhvilluan për 18 ditë një grevë urie deri në kufinjtë ekstremë të ekzistencës, Me datën 15 Tetor e deri sot (28 Tetor) prej 14 ditësh ata janë zëvendësuar me gratë  e tyre. Gjendja shëndetësore e tyre është mjaft e rëndë. Njëra prej tyre, Silvana Selami, u shtrua me urgjencë në spital me dhimbje të forta stomaku, dobësi të përgjithshme dhe mbahet me serume por nuk dorëzohet të largohet nga greva…

3.

Naftëtarët i kanë kërkuar qysh në krye të herës Kryeministrit të ulet me ta për të negociuar se çmund të bëjë shteti për pagat e prapambetura. Përgjigja konstante e Kryeministrit ka qenë :

“Nuk negocioj nën presionin e askujt dhe nuk pranoj ultimatum nga askush”.

Naftëtarët më ngjanë me Lutfi Çekirrin në trotuarin e Spitalit. Edhe me ata nuk negocioi askush deri sa erdhi vdekja dhe e mori. Çfarë do ndodhë nëse një naftëtare, nesër, mund të ketë fatin e Lutfiut vetëm pse Kryeministri nuk pranon “shantazhin” e disa grave të gjora që po vdesin çdo ditë nga pak në korridoret e ftohta të një ndërtese të vjetër?

A është shantazh të kërkosh të drejtën tënde të nëpërkëmbur nga funksionarë shtetërorë të korruptuar e klientë të tyre batakçinj, të të gjitha qeverive, që tallen me bukën e përditshme të fëmijëve të atyre njerëzve?

Çdo gjë është relative. Presion është greva e urisë deri në njëfarë dite. Është kërkesë për sensibilizim, njohje e së drejtës. Por, nëse 15 gra rrijnë 14 ditë pa ngrënë, në të ftohtë, ato meritojnë përulje zoti Kryeministër! Nuk ka veprim më dinjitoz sesa përulja ndaj një nëne që po flijohet për bukën e të birit. Nuk ka ligj shtetëror e as opinion që të gjykon nëse ti nuk e përballon dot këtë presion zoti Kryeministër! Përkundrazi, nëse vazhdon të lëshosh mesazhe kokëfortësie e cinizmi alla burokrati pa ndjenja, gjithkush do të gjykojë vetëm ty. Bëje sot që nesër të mos jetë vonë.

Në fund të fundit, shteti mori 128 milionë Euro nga ajo Rafineri. Edhe sikur të paguash 5% të asaj shume ata naftëtarë që po vdesin populli do të mirëkuptojë më shumë sesa për koncensionet e inceneratorëve.