Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku Sadriu tha se Lëvizja Vetëvendosje po e pamundëson konstituimin e Kuvendit pasi “ka qëllim final që të mos e lëshojë as Ekzekutivin”.
Ajo tha se një qeveri gjithpërfshirëse do ta nxirrte vendin nga ngërçi politik dhe do t’i merrte disa vendime emergjente në të mirë të qytetarëve.
“Kemi dhënë këtë opsion, me qëllim që të dalim nga ky ngërç, nga kjo krizë politike. Kemi dhënë këtë opsion, me qëllim që secila parti të jetë e përfaqësuar në bazë të proporcionalitetit të përfaqësimit që ka në Kuvend, me qëllim që të shkojmë përpara me disa vendime emergjente që do ta lehtësonin jetën e secilit qytetar në Kosovë”, tha ajo.
Lushaku Sadriu tha se LDK-ja nesër do ta shpalosë planin për qeverinë gjithpërfshirëse.
“Për qeverinë gjithpërfshirëse, nesër Lidhja Demokratike e Kosovës do të shpalosë një plan prej 15 pikash, ku do të elborojë idenë dhe prioritetet që do t’i shihnim si pjesë e kësaj qeverie për një periudhë të caktuar”, tha ajo.