Lulzim Basha duhet të nxjerrë kokën nga rëra dhe të përballet - Gazeta Express

Lulzim Basha duhet të nxjerrë kokën nga rëra dhe të përballet

Ballina

Ermal Mulosmani

26/10/2021 13:29

Ajo çka po ndodh në PD-në e sotme as nuk mund të mendohej 6 muaj më parë. Prej vitesh demokratët e drobitur nga mungesa e gjatë e pushtetit jetonin me kujtimin kur forca e tyre politike ishte një shpresë e madhe për Shqipërinë. Emocionet e tyre politike të së kaluarës ishin më të forta sesa shpresat e së ardhmes. Qeverisja autoritare dhe arrogante e Kryeministrit Rama dhe pafuqia e dukshme e rivalit të tij politik për ta përballuar kishin prodhuar një demoralizim deri në fatalizëm.

Dështimi i pothuaj të gjitha nismave politike të Kryetarit Basha, që nga Çadra e Lirisë, Republika e re, dorëzimi i mandateve, bojkotimi i zgjedhjeve lokale e deri te bashkëpunimi me Damian Gjiknurin, të ashtuquajturin kryehajdut të votave të Dibrës në emër të Reformës Zgjedhore i kishin zbehur të gjitha shpresat. Garancitë e ndërkombëtarëve për një sistem zgjedhor të barabartë u hodhën në erë nga ndryshimet kushtetuese të Korrikut nga Kryeministri në  bashkëpunim me surrogatët e PD-së.

Lexo Edhe:

Dëshpërimi i humbjes së zgjedhjeve ishte episodi i fundit në sagën e votuesve demokratë. Masakra zgjedhore e pretenduar ishte kaq e sofistikuar saqë provat ishte shumë  e vështirë të gjendeshin. Masa e gjerë e votuesve të demoralizuar demokratë e shihte fajin te udhëheqja e PD-së, udhëheqja e shihte te masakra zgjedhore. Në këtë kaos e pesimizëm zhvillohen me urgjencë zgjedhjet për Kryetarin e ri të PD-së, një formulë e njohur sipas së cilës faji projektohet jashtë Partisë dhe Kryetari është qelibar.

Dukej sikur oborri i PD-së ishte një rutinë e letargjisë. Këtë rutinë nuk e prishi as bomba e Departamentit të Shtetit që shpalli liderin historik të Partisë Demokratike si të padëshiruar për Shtetet e Bashkuara. Lulzim Basha u tregua shumë i matur tek sinkronizonte qëndrimet e tij publike me ato të Berishës, kundër Amerikës. Kërkoi transparencë dhe nxjerrje faktesh, fiks ato që kërkonte edhe Berisha.  

Zgjedhjet e Partisë ishin në prag dhe një konflikt me Berishën do të ishte katastrofë personale në rezultat. Konflikti u shty me shumë kujdes, për në momentin e fundit të mundshëm, në ditën kur Parlamenti i ri do të fillonte punimet!

*******

“Në politikë nuk ka miqësi të përjetshme por vetëm interesa të tilla”. Kjo thënie e njohur e Sharl Dëgol-it konfirmoi edhe një herë vërtetësinë e saj ditën kur Lulzim Basha vendosi të ndajë rrugëtimijn e tij politik me Sali Berishën.

Që nga ajo ditë e deri sot ka rrjedhur shumë ujë. Sali Berisha dhe Lulzim Basha tashmë janë në një luftë të hapur. Të dy thonë që e bëjnë këtë luftë në emër të së ardhmes së PD-së. Perceptimi publik është se të dy e bëjnë për interesa personale.

Në thelb çdo betejë, politike ose jo, është e nxitur nga interesa thellësisht personale. Oskar Uaild thotë diku: “Nëse një njeri nuk mendon për vete ai nuk mendon fare”.

Por kush do ta fitojë këtë luftë interesash personale dhe cili është interesi i publikut në të? A do të fragmentarizohet Partia Demokratike në fund të kësaj beteje për pushtet apo do të dalë më e fortë?

Këto janë pyetje fort të vështira për t’i parashikuar.  Por një gjë duket e qartë: Luftës do t’i shkohet deri në fund nëse nuk ndërhyn ndonjë forcë madhore.

Foltoret e Berishës kanë zgjuar nostalgjikët, përfituesit e pushtetit të dikurshëm por edhe bazën e pezmatuar demokrate. Në çdo qark ku shkon, ai pritet me ovacione si në vitet e arta të pushtetit të tij. Të zhgënjyerit dhe pesimistët e derisotëm janë gjallëruar. Përfituesit e djeshëm dhe ata të nesërm i janë bashkuar me shpresën e rikthimit. Amalgama që përbën Foltoren është shumë më e parëndësishme sesa masiviteti i saj. Berisha ka sharmin e fituesit, karizmën elektrizuese të politikanit të racës.

Pasuesit e Foltores thonë se shumica e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar e kanë firmosur mbledhjen e tij. Çka, nëse është e vërtetë, do të thotë se Basha nuk ka votëbesimin e duhur në organin që ka të drejtën statuore ta shkarkojë nga funksioni. Dhe ky është fillimi i fundit të tij. Nuk ka rëndësi fare nëse Berisha është pasuesi i tij apo një tjetër.

Nga ana tjetër Basha ka ruajtur kontrollin mbi strukturat e Partisë, deputetët dhe ofiqarët partiakë të rretheve. Me pak fjalë mbi përfituesit direktë të pushtetit opozitar. Kush prej tyre del jashtë kontrollit të tij ndëshkohet. I pari e provoi Noka, pas tij edhe Kryetari i Fierit, Luan Baçi.

Për një periudhë të gjatë Basha zgjodhi të mbrohej me retorikë proamerikane duke deklaruar: “Kuvend që diskuton orientimin proamerikan të PD-së nuk do të ketë”. Garancia për mosmbledhjen e këtij Kuvendi ishin gjetur në kleçka statuore kontradiktore:

 “Vetëm ofiqarët e Partisë (kryesia, Kryetari) mund të thërrasin mbledhjen e Kuvendit.  Përndryshe Kuvendi mund të mblidhet por askush nuk e njeh” –thonë pasuesit e Bashës. Statuti i bërë leckë ndër vite është leva e Arkimedit ku po mbahet ligjërimi kundërshtues. Vini re paradoksin: Institucioni më i lartë i Partisë dëshiron të mblidhet por Kryetari apo Kryesia (institucione inferiore me statut) nuk japin miratimin. Dhe për këtë kundërshtim i referohen Statutit. Çfarë sofizmi!

Kjo është strategjia e strucit. Rreziku nuk ikën nëse ti fut kokën në rërë e nuk do ta shohësh. Ai është aty, duke ardhur me shpejtësi drejt teje. E vetmja mënyrë të shpëtosh prej tij është të përballesh.

Zoti Basha duket e kuptoi këtë të vërtetë kur filloi të flasë për mbështetje popullore të anëtarësisë. Paçka se u bë qesharak nga shifrat e përmendura në publik, sipas të cilave brenda pak ditëve mbështetja e tij lëviz nga 95-97% të anëtarësisë. Apo se “ka zgjedhur të mos përballet me Berishën se nuk do ta vëjë në pozitë inferiore”. Ky është humor politik i niveleve amatore. Por, tregon se Basha po i hap sytë dhe pregatitet për luftë. Paçka se me deklarata shvejkiane.

Berisha ka dy kundërshtarë shumë të fortë në betejën e tij të fundit, moshën dhe Amerikën. Beteja me Bashën nuk është asgjë përpara këtyre. E ardhmja e Partisë Demokratike, përtej çdo dëshire, nuk mund të jetë në duart e një 77 vjeçari me vulë antiamerikane. Në zgjedhjet e ardhshme Berisha do të jetë 81 vjeç, shanset për një drejtim aktiv janë afër zeros. Kështu që më e mira e të gjitha palëve, përfshirë edhe Berishën vetë, është të mbajë Partinë në tension elektoral njëvjeçar derisa të fitojë kandidati më i votuar. Berisha do i dëshmojë Amerikës peshën e tij elektorale si mburojë politike dhe do të fitojë kohë të dobishme për kalimin e hallit personal.

Publiku më në fund do të fitojë një Parti Demokratike ku demokracia nuk është krejt fasadë. Vetëm zgjedhjet e lira e demokratike do e rikthejnë besimin te Opozita. Edhe sikur ato t’i fitojë Lulzim Basha.