Luis Figo, Aljosa Asanovic e Jahmir Hyka vlerësojnë punën e FSHF-së - Gazeta Express
string(66) "luis-figo-aljosa-asanovic-e-jahmir-hyka-vleresojne-punen-e-fshf-se"

Futboll

Gazeta Express

11/09/2025 15:50

Luis Figo, Aljosa Asanovic e Jahmir Hyka vlerësojnë punën e FSHF-së

Futboll

Gazeta Express

11/09/2025 15:50

Kjo e enjte ishte ndryshe për Federatën e Futbollit, pasi në selinë e saj zbarkuan emra të mëdhenj të futbollit europian.

Përkrah Presidentit të UEFA-s, Aleksander Čeferin, në Tiranë ishin të pranishëm përfaqësues të federatave europiane dhe ambasadorë të UEFA-s në kuadër të festivalit të futbollit për fëmijë, pjesë e programit “Futbolli në Shkolla”.

Aktiviteti u shoqërua edhe me zhvillimin e një ndeshjeje futbolli ku morën pjesë Presidenti Čeferin, Luís Figo, Aljoša Asanović, trajneri i Kombëtares shqiptare Silvinjo, dy zëvendës-trajnerët Zabaleta dhe Doriva, Jahmir Hyka dhe fëmijët nga shkollat lokale.

Pas ndeshjes, në një prononcim për mediat, Luis Figo, ambasador i UEFA-s dhe një nga legjendat më të mëdha të futbollit europian u shpreh i lumtur për praninë e tij sot në Tiranë.

“Që nga hera e fundit që kam qenë këtu, shoh një ndryshim të madh. Jam shumë i lumtur që jam këtu. Sa herë vij, ndjej një mbështetje të madhe nga të gjithë ata që e duan futbollin.

Legjenda portugeze vlerësoi sportistët e rinj shqiptarë, duke i këshilluar që të gjejnë balancën mes edukimit dhe sportit në jetë.

“Janë shumë të rinj, por mendoj se, ashtu si në çdo vend tjetër, gjëja më e rëndësishme është të gjesh balancën mes edukimit dhe sportit. Nëse studion dhe i kushton kohë mësimeve, ndërkohë që luan edhe sport, veçanërisht futboll, është edhe më mirë.

Mendoj se gjëja më e rëndësishme, jo vetëm në sport por edhe në jetë është pasioni për atë që bën. Nuk ka rëndësi nëse është sport apo një fushë tjetër e jetës. Duhet të punosh fort dhe të ndjekësh ëndrrat e tua. Me këto dy përbërës, besoj se është shumë më e lehtë të arrish qëllimet”.

Ambasadori i UEFA-s, Aljoša Asanović, u shpreh i lumtur që ndodhet në Shqipëri për festivalin e futbollit për fëmijë, duke e cilësuar programin një mundësi të mrekullueshme për fëmijët dhe shkollat.

Ai vlerësoi progresin e futbollit shqiptar, punën e mirë të Presidentit dhe paraqitjet pozitive të Kombëtares shqiptare në Euro 2024.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu. Është një program i mrekullueshëm për fëmijët, për shkollat dhe për të gjithë këtu. Pas ceremonisë po qëndroj këtu dhe po shijoj kohën me fëmijët. Ne jemi këtu për fëmijët.

Gjëra shumë pozitive dhe këtë e pashë në Kampionatin e fundit Europian. Në Gjermani pamë paraqitjen e mirë që bëri ekipi juaj dhe ju keni një trajner shumë të mirë, gjithashtu edhe një president të mirë. Thjesht vazhdoni kështu dhe shumë shpejt do t’i shohim ekipet shqiptare lart”, – tha Aljoša Asanović.

Ambasadori i FSHF-së, Jahmir Hyka, në prononcimin e tij gjatë festivalit të futbollit për fëmijë, u shpreh i kënaqur për organizimin dhe pjesëmarrjen e madhe të fëmijëve.

Ai theksoi rëndësinë e kujdesit dhe edukimit të brezit të ri, duke theksuar se fillimisht duhet edukuar dashuria dhe respekti për sportin dhe më pas mësimi i futbollit.

Hyka shprehu bindjen se këto iniciativa do të ndihmojnë në krijimin e një të ardhmeje më të mirë për fëmijët dhe futbollin shqiptar.

“Është kënaqësi gjithmonë të jesh këtu mes fëmijëve dhe të krijohen këto organizime të bukura për fëmijët. Është kënaqësi dhe m’u bë shumë qejfi që kishte kaq shumë pjesëmarrje, shpresoj të ketë edhe në të ardhmen.

Është një brez që do shumë kujdes sepse kohët kanë ndryshuar pak nga brezi jonë. Jemi duke u munduar që t’i edukojmë në radhë të parë, pastaj edhe t’i mësojmë që të luajnë futboll. Shpresoj që do të kenë një të ardhme të mirë”, – tha Jahmir Hyka.