Luftë për pozitën e kryetarit, jo për koalicion - Gazeta Express
string(49) "lufte-per-poziten-e-kryetarit-jo-per-koalicion-85"

Luftë për pozitën e kryetarit, jo për koalicion

Gazeta Express

02/02/2020 19:27

Negociatat që u zhvilluan me VV-në, nuk ishin vetëm përpjekje për të ndërtuar një koalicion, por brenda LDK-së zhvillohej një luftë e ashpër për pushtet brenda partisë. Aty luftonin për protagonizëm Lutfi Haziri dhe Agim Veliu, kurse Isa Mustafa ishte moderator i synimeve dhe ambicieve të tyre.

Lis Bukuroca

Lexo Edhe:

Duk u përpjekur të ruajë drejtpeshimin në mes dy burrave tepër egocentrikë, Mustafa hodhi në prapavijë fituesen e zgjedhjeve, zonjën Vjosa Osmani. Ajo e ka tepër vështirë me burrat patriarkalë, që nuk janë mirënjohës dhe që nuk besojnë në inteligjencën e gruas, por në mustaqet, gjoksin dhe fuqinë e burrit!

Se ata përçmojnë gratë, e kanë dëshmuar jo vetëm kur janë në pyetje pozitat brenda kryesisë së partisë, jo vetëm kur tërhoqën zvarrë Donika Gërvallën, por edhe duke e sulmuar, duke e kritikuar fituesen e zgjedhjeve. Në vend se ta lavdëronin!

Despotët me fitoren e saj bënë tregti; e anashkaluan, e shpërfillën, e sulmuan, e hodhën në rend të dytë dhe nga kaçubat, dolën në krye. Ata edhe pse nuk kishin marrë pjesë në zgjedhje, përcaktonin rrugëtimin dhe kushtëzonin, apo kërcënonin. Në kundërshtim me çdo parim demokratik, ata morën çështjen në duar, duke e përligjur si veprim normal, sepse qenkan nënkryetarë partie.

E njëjta gjendje pat ndodhur në Gjermani. Kryetar i socialdemokratëve ishte Lafontaine, por zgjedhjet i pat fituar Schröder. Negociatat nuk i udhëhiqte kryetari partisë, por fituesi i zgjedhjeve me kryetarin. Në fund Lafontaine, iku nga partia, sepse nuk mund të vihej kundër vullnetit të elektoratit. Vullneti i tij ishte Schröder, jo kryetari i partisë.

Vullneti i zgjedhësve në Kosovë ishte Vjosa, jo Mustafa! Në Kosovë fjalën kryesore pati kryetari dhe dy nënkryetarët, por jo fituesja. Ajo duhej të sillej modeste, thua se nuk kishte marrë pjesë në zgjedhje.

Sikur Luta, apo Veliu t’i kishte fituara zgjedhjet, asnjëri prej tyre nuk do të kishte pranuar të hidhet në harresë, por tre meshkujt e LDK-së, e bën me Vjosën, pa u prekur fare në ndërgjegje. Ata i japin vetes përparësi, jo pse kanë fituar zgjedhjet, por vetëm pse janë të gjinisë mashkullore.

Sikur ndonjëri prej tyre të kishte fituar votat e Vjosës, krekosja e tij, nuk do t’ishte duruar, ndërkaq, në anën tjetër, Vjosën, e degradojnë.

Në fakt dy nënkryetarët e LDK-së nuk bënin luftë për koalicion, por luftë për profilizim, luftë për ta zëvendësuar Isa Mustafën e lodhur. Natyrisht edhe për të penguar, për ta zvogëluar dhe për ta defaktorizuar Vjosën. Dhe, tani, i paskan caktuar pozitën Vjosës pa e pyetur, siç bënin burrat namuzli me gratë e shtypura në të kaluarën.

Pozita që fitohet tani, mund të vendosë nesër edhe për kryetarin e ardhshëm të LDK-së. Këtë e dinë Luta dhe Veliu, por edhe Mustafa. Nuk ka asnjë dyshim se me Lutën kryetar, apo Veliun, LDK fundoset si parti, apo zbret te NISMA, ndërkaq, Vjosa, përfaqëson mendimin dhe orientimin e Rugovës, por është edhe shëmbëlltyrë e grave të ndriçuara dhe të ngritura shqiptare, që na zbardhin fytyrën.

Vjosa po lufton brenda një sistemi mashkullor, që gruan e konsideron dhe e beson inferiore! Ajo po lufton kundër burrave me bindje të mesjetës. Kundër burrave që nuk njohin parime, por interesa personale. Sikur të mos ishte kështu, ata do të mburreshin me të dhe me numrin e votave që i solli partisë, jo ta përjashtojnë, siç vepruan dhe siç i caktuan pozitën, pa pyetur pajtimin saj!