Kina ka shpenzuar miliarda për të zhvilluar teknologjinë ushtarake të saj, e duket se konflikti Indi-Pakistan është një rast i mirë për t’i testuar ato në luftime të vërteta.
Konflikti në rritje midis Indisë dhe Pakistanit shumë shpejt mund t’i ofrojë botës një pamje të parë të vërtetë se si funksionon teknologjia e përparuar ushtarake kineze kundër pajisjeve të provuara perëndimore.
Sipas CNN, vetëm këtë javë pas pretendimeve të Pakistanit se ka përdorur avionë luftarakë J-10C të prodhuar nga AVIC-i kinez për të rrëzuar avionë luftarakë indianë – përfshirë Rafale, prodhim francez – aksionet e kësaj kompanie janë rritur me 40%.
Lidhur me këto pretendime, India nuk ka pranuar ndonjë humbje avionësh. Nga ana tjetër, një zyrtar nga ministria e Jashtme kineze, ka thënë se nuk ka informacion kur është pyetur për përfshirjen e avionëve të Kinës në luftë.
Megjithatë, përderisa dihet se Kina është është furnizuesi kryesor i armëve të Pakistanit (81%), ka shumë mundësi që të vazhdojë vëzhgimin e këtij konflikti për të parë se si po funksionojnë apo do të mund të funksionojnë sistemet e saj armëve në luftime të vërteta.
Edhepse një superfuqi ushtarake në rritje, kanë kaluar më shumë se 4 dekada që kur Kina ka pasur një luftë të madhe, por nën udhëheqjen e Xi Jinping, vendi ka nisur të modernizojë forcat e armatosura duke investuar shumë në burime për zhvillim të armëve të sofistikuara dhe teknologjive më të përparuara.
E këtë përpjekje modernizimi, Kina e ka zgjeruar edhe në Pakistan, që prej shumë kohësh e cilëson si “vëlla të hekurt”.
Sa i përket importeve të Pakistanit nga Kina, sipas raporteve, aty përfshihen avionë luftarakë modern, raketa, radarë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore që ekspertët thonë se do të luanin një rol kyç në çdo konflikt ushtarak midis Pakistanit dhe Indisë. Dihet paashtu se janë disa armë të prodhuara në Pakistan por që janë zhvilluar gbashkërisht me firma kineze ose janë ndërtuar me teknologji dhe ekspertizë kineze.
Veç armëve, ushtritë kineze dhe pakistaneze janë angazhuar gjithashtu në ushtrime të përbashkëta ajrore, detare dhe tokësore gjithnjë e më të sofistikuara, duke përfshirë simulime luftimi dhe madje edhe stërvitje shkëmbimi ekuipazhesh.
E tani në rritje të tensioneve Indi-Pakistan, duket se gjithë kjo nënvizon një riorganizim më të gjerë gjeopolitik në rajon, ku Kina shfaqet si një sfide e madhe për ndikimin amerikan.
Kujtojmë se India dhe Pakistani kanë hyrë në luftë për Kashmirin tre herë që nga pavarësia e tyre nga Britania në vitin 1947. Gjatë kulmit të Luftës së Ftohtë, Bashkimi Sovjetik mbështeti Indinë, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Kina mbështetën Pakistanin. Tani, gjërat kanë ndryshuar dhe një epokë e re rivaliteti midis fuqive të mëdha po ngrihet mbi konfliktin e gjatë midis fqinjëve të armatosur me armë bërthamore të Azisë Jugore.
Dihet se pavarësisht politikës së saj tradicionale të mosangazhimit, India është afruar gjithnjë e më shumë me ShBA-në, pasi administratat e njëpasnjëshme amerikane e kanë joshur si një kundërpeshë strategjike ndaj Kinës. India ka rritur blerjet e armëve nga Amerika dhe aleatët e saj, përfshirë Francën dhe Izraelin, ndërsa ka zvogëluar vazhdimisht varësinë e saj nga armët ruse.
Ndërkohë, Pakistani ka thelluar lidhjet me Kinën, duke u bërë “partneri i saj strategjik i të gjitha kohërave” dhe pjesëmarrës kyç në projektin e infrastrukturës globale të Xi-së, Iniciativën “Një Brez, një Rrugë”.