Luftë e “fshehtë” tregtare? Konflikti për analizat me kompaninë, që eksporton zarzavate në Serbi - Gazeta Express
string(92) "lufte-e-fshehte-tregtare-konflikti-per-analizat-me-kompanine-qe-eksporton-zarzavate-ne-serbi"

Shqiperi

Gazeta Express

28/01/2022 14:07

Luftë e “fshehtë” tregtare? Konflikti për analizat me kompaninë, që eksporton zarzavate në Serbi

Shqiperi

Gazeta Express

28/01/2022 14:07

Kompania eksportuese e prodhimeve të freskëta të fushës “Rinaldi shpk” po haset me probleme për shkak të një konflikti për rezultatet e analizave me qeverinë Serbe.

Kamioni i ngarkuar me speca u nis për në Serbi javën e kaluar, i shoqëruar me analizat përkatëse që u bënë nga laboratori “Noval”. Por autoritetet serbe në territorin e tyre bënë analiza të tjera, të cilat nxorën rezultate të larta të pesticideve në prodhimet shqiptare. Menjëherë kamioni i u bllokua dhe kompania “Rinaldi SHPK” u detyrua të paguajë të gjitha shpenzimet për groposjen e ngarkesës në afërsi të Novisadit.

Lexo Edhe:

Duke sqaruar këtë situatë për “Monitor” Administratori i “Rinaldi shpk” i konsideroi veprime të qëllimshme bllokimin nga autoritetet serbe dhe tha se, nuk është dakord me rezultatet e analizave. “Kërkova ribërjen e analizave pas 7 ditësh po brenda territorit serb. Analizat e dyta dolën me rezultate pesticidesh më të larta se të parat”. Këtu hedh dyshimin për saktësinë e analizave, sepse nëse produktet kanë përmbajtje pesticidesh, niveli i tyre ulet me kalimin e ditëve nuk mund të vijë në rritje”, saktësoi kompania “Rinaldi shpk”.

Kamioni kishte një ngarkesë prej 10 mijë eurosh, teksa kompania shiste rreth 3 kamionë në javë në Serbi. Tani puna është pezulluar dhe kompania po rrezikon aktivitetin. Pas saj janë pagesat për qindra fermerë.

Ai tha se, vitet e fundit ka pasur një rritje të shitjeve të perimeve dhe zarzavateve shqiptare në Serbi, po vitin e fundit situata është përkeqësuar.

Përmbajtja e lartë e pesticideve disa herë është bërë shkak për konflikte tregtare, por laboratori Noval që bëri analizat për “Rinaldi shpk” hedh poshtë çdo dyshim për cilësinë e analizave. “Ne nuk dimë rate që analizat tona janë kontestuar nga vendet ku eksportojnë kompanitë shqiptare. Edhe në rastin konkret nuk kemi asnjë ankesë nga kompania Rinaldi”, tha administratori i Laboratorit, i kontaktuar nga “Monitor”.

Eksportuesi beson tek analizat shqiptare, duke konsideruar tendencë sjelljen e autoriteteve serbe. “Ata nuk pranuan që analizat të bëheshin në një vend të tretë, Greqi apo diku tjetër. Të njëjtat prodhime kam eksportuar edhe më parë në Serbi, por nuk kemi pasur kontestime.” sqaroi kompania.

Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia synojnë të njehsojnë certifikatat fitosanitare, në kuadër të projektit të “Open Balkan”.

Në sektorin bujqësor, Shqipëria eksporton në Serbi kryesisht prodhime të freskëta të fushës, ndërsa Serbia eksporton në Shqipëri produktet të bulmetit dhe grurë./Monitor