Pa përfunduar beteja me pandeminë Covid-19, një tjetër ka nisur. Ukraina po përballet me tmerrin e luftës, duke shkaktuar frikë e panik për pjesën tjetër të botës. Por, më e rëndësishmja luftë që duhet fituar është ajo kundër injorancës.
Imer Mushkolaj
Që kur ka nisur lufta në Ukrainë, për pandeminë Covid-19 po flitet gjithnjë e më pak. Në të njëjtën kohë njerëzit po sillen sikur gjithçka të ketë përfunduar, andaj nuk habit e dhëna që brenda 24 orëve në Kosovë, dozën e parë të vaksinës të mos e marrin më shumë se pesë persona.
Para dy vjetësh në Kosovë, sikurse dhe në vendet tjera të rajonit, mbretëronte frikë dhe pasiguri. Frikë nga e panjohura dhe pasiguri se çfarë mund të sjell e ardhmja. Po të thoshte atëbotë dikush se me virusin do të përballen dy vjet kushedi si do të reagohej, por ja që ashtu ndodhi dhe 24 muajt e kaluar ishin të mbushur plot shifra infektimesh e vdekjesh, humbjesh ekonomike e ngarkesash psikologjike.
Natyrisht, virusi nuk është zhdukur, por një situatë më e qetë po vazhdon tash sa javë. Njerëzit sikur janë liruar nga ngarkesa e pandemisë dhe po duan të besojnë se ajo ka përfunduar. Masat e rrepta po hiqen nga shteti në shtet, ndërkohë që kanë nisur të ngrihen të tjera dilemma. Më interesantja është nëse lufta e mundi koronën dhe si ndodhi që, me fillimin e konfliktit të armatosur në Ukrainë, për virusin të mos interesohet më kush seriozisht. Natyrshëm, ky është një debat shtesë për adhuruesit e teorive konspirative. Megjithatë, pandemia ishte luftë më vete. Infektime, vdekje, masa, vaksina, cerifikata… ishin fjalët më të shpeshta në muhabetet ndërmjet qytetarëve – pa marrë parasysh në cilin kontinent jetonin dhe cilës përkatësi etnike i takonin.
Në Kosovë më shumë se tre mijë persona nuk mundën t’i mbijetojnë vdekjes, por pasojat në shëndetin mendor janë shumë më të mëdha dhe do të na shoqërojnë për një kohë të gjatë.
Mund të tingëllojë konspirative, por viktima të virusit nuk kishte shumë politikanë. Ata u treguan më imunë në këtë situatë të vështirë. Dhe, pikërisht politikanët, kur bota mendoi se lufta me pandeminë mori fund, nisën një tjetër luftë përnjëmend – Rusia sulmoi Ukrainën, njerëzimi sërish pa anën e shëmtuar të politikës, kurse kosovarëve iu rikthyen kujtimet e trishta të para më shumë se dy dekadave.
* * *
Në vend që njerëzit t’i gëzohen fundit të pandemisë, të bëjnë gjëra që nuk mundën për dy vjet, të takojnë njerëz që nuk i kanë parë me muaj, të marrin pjesë në ndonjë ngjarje argëtuese nga të cilat ishin të privuar, tash duhet të merren me luftën. Përderisa disa luftojnë e vriten, të tjerë furnizohen me miell, vaj e plot produkte tjera, nga frika se lufta mund t’i lë pa bukë.
Dhe frika është e kuptueshme, marrë parasysh se luftën nuk po mund ta ndalin organizatat më të rëndësishme botërore, si OSBE, BE, NATO e OKB. Asgjë e re, kështu ka ndodhur edhe në të kaluarën me luftën në Kosovë dhe në vendet tjera të ish-Jugosllavisë.
Palët ndërluftuese po vazhdojnë bisedimet për të gjetur një zgjidhje, ashtu siç po vazhdojnë edhe bombardimet ruse mbi qytetet ukrainase. Duket se përvojat nga e kaluara nuk kanë shërbyer shumë. Por, ndryshe nga lufta, do të duhej që të paktën të shërbejë përvoja e dy viteve të kalura me pandeminë.
Situata tashmë duket më e qetë, me tendencë të mëtejme përmirësimi, ndonëse ekspertët kanë nisur të brengosen se çfarë mund të ndodh në vjeshtë, gjatë sezonit të gripit. Druajnë se Covid-19 mund të rikthehet. Ata që kanë marrë tri doza vaksine pyesin nëse duhet marrë e katërta, ndërkaq skeptikët që nuk e kanë marrë asnjë sikur ndihen triumfues se nuk i janë ”nënshtruar” pandemisë.
Mjekët tërheqin vërejtjen se virusi nuk është zhdukur dhe do të jetë mes nesh vite me radhë. Njerëzve, thjesht, iu mbetet të jetojnë bashkë me të.
Tingëllon gjë e bukur që lufta në Ukrauinë të përfundojë shpejt, e bashkë me të njerëzit t’i “gëzohen” edhe fundit të pandemisë. Por, duket që të dyja këto janë ende larg.
* * * Lufta me pandeminë, si dhe kjo në Ukrainë, një ditë do të përfundojnë. Por, një betejë më e gjatë na pret – ajo me injorancën. Pandemia dhe Ukraina vetëm sa kanë shpërfaqur injorancën tek një pjesë e madhe e njerëzimit – që nga paragjykimet për vaksinim, e deri te mbështetja e palës agresore në luftë. Nuk bëhet fjalë këtu vetëm për shoqërinë kosovare, ndonëse ka mjaft specifika mbi të cilat mund të diskutohet. Gjithçka nis me burime të dyshimta nga të cilat njerëzit informohen, vazhdon me shpërndarje lajmesh të rrejshme, teorish konspirative dhe përfundon me verdikte të pambështetura në asnjë fakt logjik. Natyrisht, ka shpresë se gjërat mund të ndryshojnë, ndonëse jo shpejt. Megjithatë, përpjekjet nuk duhet reshtur.