Lufta mes Izraelit dhe Iranit ka hyrë zyrtarisht në javën e dytë, ndërsa përfaqësues të lartë evropianë janë angazhuar për ta rikthyer Teheranin në tryezën e negociatave. Kjo ndodh pas deklaratës së presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, i cili tha se vendimi për përfshirjen eventuale të Amerikës në konflikt do të merret brenda dy javëve të ardhshme.
Konflikti nisi pas një sulmi ajror izraelit ndaj Iranit të premten e kaluar, me arsyetimin e ndalimit të Republikës Islamike që të zhvillojë armë bërthamore. Irani reagoi me sulme raketore dhe me dronë ndaj territorit izraelit, duke theksuar se programi i tij bërthamor është vetëm për qëllime paqësore, raporton Reuters.
Sipas Agjencisë së Lajmeve Human Rights Activists, sulmet ajrore izraelite kanë shkaktuar vdekjen e 639 personave në Iran, përfshirë figura të larta ushtarake dhe shkencëtarë bërthamorë. Nga ana tjetër, autoritetet izraelite raportuan të paktën 20 viktima nga sulmet iraniane me raketa.
Burime perëndimore dhe rajonale pretendojnë se Izraeli ka goditur lokacione bërthamore dhe kapacitete raketore iraniane, duke synuar njëherësh edhe destabilizimin e regjimit të liderit suprem, ajatollah Ali Khamenei.
“Duam rënien e regjimit? Kjo mund të ndodhë si rezultat, por i takon popullit iranian të ngrihet për lirinë e vet,” deklaroi të enjten kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.
Nga ana tjetër, Irani ka theksuar se sulmet e tij kanë pasur në shënjestër objekte ushtarake dhe mbrojtëse në Izrael, megjithëse janë goditur edhe objekte civile, përfshirë një spital.
Përballë rrezikut të një përshkallëzimi rajonal, ministrat e jashtëm të Britanisë, Francës dhe Gjermanisë, bashkë me shefin e politikës së jashtme të BE-së, pritet të takohen sot në Gjenevë me ministrin e jashtëm iranian, Abbas Araqchi, për të kërkuar ndaljen e përshkallëzimit të konfliktit.
“Është koha që të ndalen pamjet e rënda nga Lindja e Mesme dhe të parandalohet përshkallëzimi rajonal që nuk i shërben askujt,” deklaroi ministri i jashtëm britanik, David Lammy.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, zhvilloi takime të ndara me Lammy-n dhe me homologët e tij nga Australia, Franca dhe Italia për të diskutuar për krizën. Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se u arrit një dakordësi që “Irani kurrë nuk duhet të zhvillojë ose të sigurojë armë bërthamore”.
Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin dhe ai kinez Xi Jinping dënuan veprimet e Izraelit dhe theksuan nevojën për deeskalim, njoftoi Kremlini të enjten.
Roli i Shteteve të Bashkuara në këtë konflikt mbetet ende i paqartë.