Lufta mes fakteve dhe interpretimeve - Gazeta Express
string(36) "lufta-mes-fakteve-dhe-interpretimeve"

Lufta mes fakteve dhe interpretimeve

OP/ED

Gazeta Express

24/01/2024 10:16

Nëse puna e mediave bie ndesh me ligjin janë institucionet përkatëse që i vënë ato para përgjegjësisë. Zhvillimi i shoqërive, e sidomos atyre moderne, ka ardhur edhe si rezultat i gatishmërisë së mediave për të mos iu nënshtruar as pushteteve politike, e as pushteteve të turmave

Dritan Dragusha

Lexo Edhe:

A e trembe zogun nga aty? Çfarë bërë me vajzën e vogël? A e largove nga ai zog grabitqar? Si munde ta lësh aty nën kthetrat e atij zogu grabitqar? Këto dhe një varg pyetjesh të ngjashme të natyrës akuzuese dhe moralizuese po i bëheshin vazhdimisht fotoreporterit Kevin Carter, i cili kishte fotografuar një vajzë të vogël sudaneze, e cila ishte nisur për në një qendër ushqim, mirëpo, nga uria e madhe ajo nuk mund të lëvizte më dhe disa metra më tutje qëndronte një zog, shkabë, që po priste me durimin e një murgu prenë e tij. Ishte viti 1993, ku Sudanin e kishe kapluar zia e bukës. Ky imazh ikonik, por shumë tmerrues, u shfaq më 1994, e që Kevin Carter, fotoreporter nga Afrika e Jugut, më 1994 do ta fitoj edhe çmimin prestigjioz Pulitzer. Imazhin në fjalë e përfaqësojnë tri subjekte dhe një dramë e madhe njerëzore. Debati që e pasoi këtë imazh do të bëhet edhe vegëza kryesore që fotoreporteri Kevin Carter t’i japë fund jetës, duke bërë vetëvrasje me monoksid karboni, më 27 korrik 1994, në moshën 33 vjeçare.

Pra, njerëzit ishin të prirur ta gjykonin fotoreporterin dhe harronin zinë e bukës në Sudan, e cila ishte shkaktuar nga politikat dhe grupe të ndryshme kriminale. Fotoja po shfaqte dramën njerëzore, kurse publiku po shpërfaqte poshtërsinë e tij përballë një fotografi. Moralizimet ishin sa patetike, po aq edhe arrogante. Njerëzit që jargaviteshin nëpër metropole të botës nga bollëku, për një moment po i nxirrnin në pah sentimentet humane solidare dhe përnjëherë filluan gjyqin ndaj fotoreporterit. Njerëzit, të të gjitha llojeve, profesioneve, moshave etj., po lidhur me këtë kishin një të përbashkët: hipokrizinë (sic!).

Mbase, ajo çka i karakterizon masat në raste të tilla dhe jo vetëm, kudo qofshin ato, është hipokrizia. Dalldia totalitare domosdo do të prodhojë hipokrit. Një hipokrizi e tillë shfaqet herë pas here edhe këtu tek ne. Kur ndodh ndonjë ngjarje, sikur rasti i vrasjes së të riut nga Podujeva, publiku menjëherë aktivizohet ta japë fjalën e tij. Gjyqi publik merr përmasat e një kataklizme. Dikush thotë se duhet kthyer dënimin me vdekje, dikush shpërndan burg të përjetshëm, e dikush varje publike nëpër sheshe. Të gjithë këta kanë një të përbashkët: papërgjegjësinë.

Pasi që përfundojnë këto shkallë të dënimeve publike, ata kthejnë reflektorët kah mediat, duke i paraqitur e akuzuar ato si organizime që mezi presin që të ndodhin makabritete të tilla. Fillojnë dhe i gjykojnë moralisht. I paraqesin mediat sikur vampirë që duan vetëm gjak. Gazetarët nuk janë robotë. Japin mendime se a do të duhej ose jo të publikohen krimet e tilla. Pastaj, i akuzojnë mediat se publikimi i ngjarjeve të tilla, atyre u sjell para, shumë para. Krijimi i një narracioni të kësisojt, se publikimi nga ana e mediave i një video ku dikush vret dikë, sjellë përfitime marramendëse, është një çmenduri e llojit të vet. Rasti konkret ishte me videon e publikuar për vrasjen e të riut nga Podujeva. U akuzuan mediat pse e publikuan videon që shpërfaqte gjithë atë brutalitet. Kishte të atillë që moralizonin se mediat nuk duhet ofruar publikut ngjarje kaq të rënda, thua ti se vrasja kishte ndodhur në planetin Mars. Duhet pasë parasysh se videot që paraqesin pamje të tilla të dhunës, p.sh., nga rrjeti social “Facebook” censurohen, kurse publikimi nëpër faqe të portaleve nuk është i monetizuar.

Një gjë duhet ta kemi parasysh, mediat nuk janë as kisha, e as xhami, pra nuk moralizojnë. Nuk janë as polici, prokurori e gjykata. Madje-madje mediat nuk janë aty as për ta zbuluar të vërtetën e një ndodhie (sic!). Mediat janë aty që të ofrojnë paanësi, profesionalizëm dhe fakte rreth asaj ndodhie. Sikur mediat mos ta publikonin videon e rastit të vrasjes në Podujevë, e vërteta për rastin në fjalë do të mbetej versioni i raportimit të policisë si vrasje e rëndë therrje me thikë. Kurse videoja zbuloi se raporti i policisë nuk ishte i saktë, sepse rasti ishte rrahje brutale deri në vdekje. Mirëpo, përveç kësaj, edhe sikur nëpërmes videove e ngjarje të tilla ndokush do të mund të përfitonte materialisht, prapëseprapë jam i mendimit se ato duhet publikuar. Mediat janë aty për të publikuar atë se çfarë ndodh. Gjithashtu, përshtypja se gazetaria në Kosovë ka problemet dhe defektet e saj, kjo është gjë që s’duhet anashkaluar. Eh, nëse puna e mediave bie ndesh me ligjin janë institucionet përkatëse që i vënë ato para përgjegjësisë. Zhvillimi i shoqërive, e sidomos atyre moderne, ka ardhur edhe si rezultat i gatishmërisë së mediave për të mos iu nënshtruar as pushteteve politike, e as pushteteve të turmave.

P.S.

Rasti i vrasjes në Podujevë dhe raste të tjera të më hershme duket se janë vetëm maja e iceberg-ut e kësaj shoqërie, ku dhuna përveç që është shumë shtresore dhe promovohet në forma të ndryshme, është edhe shumë dimensionale.