Edhe pse vatrat e zjarrit vazhdojnë të digjen në zonën malore pranë fshatit Kakodhiq, drita e parë e ditës ka zbuluar gjurmët e thella që ka lënë pas zjarri i pamëshirshëm në Delvinë.
Tokë e djegur, pemë të rrëzuara, tym ende i pranishëm në ajër — një peizazh që flet për një natë të tmerrit që banorët nuk do ta harrojnë lehtë.
Dhe efektivë të Forcave të Armatosura dhe atyre zjarrfikëse, të sfilitur, duke marrë një sy gjumë në stolat e parkut.
Delvina kaloi një natë tmerri dhe frike.

Forca të shumta zjarrfikëse, të bashkive të jugut, por edhe të ardhur nga Tirana, forca të ushtrisë dhe banorë, bënë të mundur shuarjen e zjarrit nga afërsia e qytetit.
Ende mbi Delvinë vazhdon të ketë vatër zjarri.
Gjatë natës – nga zjarri dhe tymi – rreth 10 qytetarë, katër prej të cilëve nga forcat e ushtrisë, kanë marrë ndihmë mjekësore nga asfiksia, në mjediset e Kinoteatrit ku u vendos përkohësisht spitali.
