Kryeministri kanadez Mark Carney do ta vizitojë të martën Presidentin e ShBA-së Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, në një që pritet të jetë nga takimet më të diskutueshme në vite midis liderëve të vendeve fqinje.
Edhe pse dihet që Kanadaja është partneri i dytë më i madh tregtar i Amerikës dhe një nga aleatët e ngushtë në shumë fronte, nga siguria kombëtare e deri te tregtia, sulmi agresiv me tarifa nga ana e Trump, e ka dëmtuar këtë marrëdhënie të gjatë e në të njejtën kohë e ka ndihmuar edhe Carney-n që të konsolidojë pushtetin e tij politik.
Me një qasje qortuese kundër Trump, Partia Liberale e Kanadasë në krye me Carney-n fitoi zgjedhjet federale javën e kaluar, duke e vënë edhe qeverinë e sapozgjedhur në një kurs përplasjeje me administratën e Trump. Ndërkohë, menjëherë pas zgjedhjeve ai mbajti një fjalim duke thënë se “vendi po kalon tronditjen e tradhëtisë amerikane”.
Por, kujtojmë se Trump gjithashtu kishte shprehur më herët edhe një dëshirë për të aneksuar Kanadanë dhe për ta bërë atë “shtetin e 51-të”. Ai në një postim të ndarë në Truth Social më 11 mars, kur iu drejtua shqetësimeve të ngritura nga Kanadaja në lidhje me tarifat, u shpreh se: “E vetmja gjë që ka kuptim është që Kanadaja të bëhet Shteti ynë i 51. Kjo do të bënte që të gjitha tarifat, dhe gjithçka tjetër, të zhdukeshin plotësisht.”
Megjithatë, kryeministri i Kanadasë Mark Carney, ashtu edhe si paraardhësi i tij Justin Trudeau – e bëri të qartë se Kanadaja nuk ka ndërmend ta pranojë ofertën e Trump.
“Kjo nuk do të ndodhë kurrë,” ishte komenti i tij.
Ndërkohë, marrëdhënia që Kanadaja e ShBA e kanë pasur me dekada duke ndarë tregti të lirë, u dëmtua shumë nga tarifat e Trump.
Ditën e hënë Sekretari i Tregtisë Howard Lutnick, u shpreh për Fox Business se një marrëveshje me Kanadanë ishte e mundur, por do të ishte “shumë komplekse”.
Si erdhi deri te përshkallëzimi i tensioneve tregtare?
Deri në shkurt, të dy vendet ishin të lidhura nga marrëveshja e tregtisë së lirë Shtetet e Bashkuara-Meksikë-Kanada, një marrëveshje e ndërmjetësuar nga vetë Trump në mandatin e tij të parë. USMCA, e ratifikuar në vitin 2020, zëvendësoi Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut, një çerek shekulli e vjetër. Megjithatë, kjo gjë ndryshoi nga Trump menjëherë pas marrjes së presidencës.
Ai në në fillim të muajit mars, vendosi një tarifë të përgjithshme prej 25% për Meksikën dhe Kanadanë e cila hyri në fuqi pak para se të pezullohej pasi udhëheqësit e të dy vendeve premtuan të ndërmarrin më shumë veprime për të ndaluar fluksin e fentanilit dhe imigracionit të paligjshëm në Amerikë. Megjithatë, një tarifë prej 25% vazhdon të jetë në fuqi për mallrat e importuara nga Meksika dhe Kanadaja që nuk janë në përputhje me USMCA-në.
Trump në muajt e fundit gjithashtu ka njoftuar tarifa prej 25% për të gjitha makinat, çelikun dhe aluminin, si dhe një tarifë për pjesët e makinave.
Këtyre veprimeve të Trump, Kanadaja iu përgjigj me një tarifë prej 25% mbi importet amerikane me vlerë 30 miliardë dollarë kanadezë (ose rreth 22 miliardë dollarë), plus një tarifë shtesë prej 25% mbi 29.8 miliardë dollarë kanadezë (rreth 22 miliardë dollarë) në përgjigje të tarifave për metalet, e poashtu Kanadaja ka vendosur tarifa për makinat e importuara nga Shtetet e Bashkuara.
E gjithë kjo luftë tregtare ka pasoja të mëdha për të dy ekonomitë, ku sipas të dhënave qeveritare Kanadaja përbën 14% të të gjithë tregtisë ndërsa Kanadaja është gjithashtu vendi kryesor ku ShBA-të eksportojnë mallra – 349.4 miliardë dollarë në vitin 2024 – me eksportet më të mëdha që janë energjia dhe makinat.
Ndërkohë edhe Shtetet e Bashkuara janë destinacioni kryesor i Kanadasë për eksportet e saj – më shumë se tre të katërtat e tyre – ku përfshihen lëndë druri, çelik dhe alumin. Dihet se rreth 30% e lëndës drusore të butë të konsumuar në Shtetet e Bashkuara importohet, ku 80% vjen nga Kanadaja.
Kjo luftë tregtare e Trump tashmë ka nisur të rëndojë edhe mbi bizneset amerikane të të gjitha madhësive. Nga një përmbledhje periodike e përgjigjeve të anketave nga bizneset në të gjithë vendin, një raport i fundit i Rezervës Federale, Beige Book, ka ofruar rrëfime të ndryshme të bizneseve amerikane që kanë vënë re edhe më pak turistë kanadezë, duke sjellë kështu goditje në fitimet e tyre.
Sipas CNN, në raport thuhej se “disa shitës me pakicë dhe nga sektori i turizmit në Uashingtonin Verior dhe Kaliforninë Jugore kanë raportuar rënie të konsiderueshme të turizmit ndërkufitar me Kanadanë dhe Meksikën”.
Është raportuar poashtu se kanadezët po zgjedhin të mos blejnë produkte të prodhuara në Amerikë.