Lufta kundër COVID: Serbia me rreth 2 milionë vaksina, Kosova asnjë - Gazeta Express

Lufta kundër COVID: Serbia me rreth 2 milionë vaksina, Kosova asnjë

Lajme

Gazeta Express

26/02/2021 22:27

Serbia është në vendin e parë sa i përket furnizimit me vaksina kundër COVID-19, kështu sipas një grafike të REL, raporton Gazeta Express.

Ndërsa, në  Ballkanin Perëndimor i vetmi shtet pa asnjë vaksinë është Kosova, pavarësisht premtimeve të ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj se vaksinat do të vijnë gjatë muajit shkurt.

“Tash jemi në pritje të ardhjes së vaksinave. Gjatë muajit shkurt, vaksina anti-COVID do të jetë në Kosovë. Përgatitjet janë më intensive në qendrat e mjekësisë familjare”, ka thënë Zemaj më 1 shkurt të 2021’së.

Ndërsa në Kosovë pritet që kontingjenti i parë të vijë në javën e parë të muajit mars, Serbia aktualisht ka rreth 2 milionë vaksina.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, dje gjatë një interviste tha se pritet që Kosova të furnizohet me vaksinat antiCOVID. Ajo tha se kontingjenti i parë pritet të vijë në javën e parë të muajit mars, ndërsa kontingjenti i dytë në muajin qershor.

Po ashtu edhe shtetet fqinje, si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë të furnizuara me vaksina antiCovid.

Maqedonia e Veriut ka rreth 8 mijë e 200 vaksina, ndërsa Mali i Zi ka 7 mijë vaksina.

Kujtojmë se numri i rasteve të reja në Kosovë ka shënuar rritje ditëve të fundit, ku vetëm sot u konfirmuan 445 raste pozitive dhe 5 viktima./Express/