Të afërmit e një infermiereje indiane të dënuar me vdekje në Jemenin e shkatërruar nga lufta po luftojnë me kohën për ta kthyer dënimin e saj me vdekje, në një çështje që ka tërhequr vëmendjen e madhe të mediave në Indi.
Nimisha Priya është dënuar me vdekje për vrasjen e ish-partnerit të saj në biznes, një shtetasi jemenas, trupi i të cilit u gjet në një depo uji në vitin 2017.
Ekzekutimi i saj fillimisht ishte planifikuar për të mërkurën, por burime nga qeveria indiane thanë të martën se ajo ka marrë një shtyrje në momentin e fundit, raporton CNN.
Asaj iu shqiptua dënimi me vdekje nga një gjykatë në kryeqytetin Sana në vitin 2020 dhe familja e saj ka luftuar për lirimin e saj që atëherë, proces i ndërlikuar nga mungesa e lidhjeve formale ndërmjet New Delhit dhe Huthive, të cilët e kontrollojnë qytetin që prej shpërthimit të luftës civile në vitin 2014.
Mediat indiane i kanë kushtuar vëmendje të madhe kësaj çështjeje dhe grupet për të drejtat e njeriut i kanë bërë thirrje Huthive që të mos e kryejnë ekzekutimin.
Amnesty International të hënën u bëri thirrje Huthive që ta “vendosin një moratorium për të gjitha ekzekutimet dhe ta kthejnë (dënimin e Priyas) dhe të gjitha dënimet e tjera ekzistuese me vdekje si hapa të parë”.
“Dënimi me vdekje është ndëshkimi përfundimtar mizor, çnjerëzor dhe poshtërues”.
Nëna e Priyas, Prema Kumari, një punëtore shtëpie nga Kerala, e cila e shiti shtëpinë e saj për t’i financuar shpenzimet ligjore të vajzës, ka qenë në Jemen për më shumë se një vit për t’i lehtësuar negociatat për lirimin e saj.
Ajo e pa për herë të fundit Priyan më 18 qershor, tha ajo për CNN. “Dukej e tensionuar”, tha Kumari përmes lotëve.
Në përputhje me ligjet islame të Jemenit, Priya mund të marrë falje nëse familja e viktimës e fal atë dhe pranon dhurimin e familjes së saj të “diyah”, që shpesh quhet “paratë e gjakut”, sipas Samuel Joseph, një punonjës social që po ndihmon familjen e saj në këtë çështje.
“Jam optimist”, tha Joseph, një indian që jeton në Jemen që nga viti 1999.
“Unë po i udhëheq përpjekjet këtu dhe, me hirin e Zotit, kemi njerëz që po na ndihmojnë. Qeveria e Indisë është e përfshirë drejtpërdrejt dhe nuk mund të them më shumë në këtë moment”, i tha ai CNN-it.
Burimet e qeverisë indiane thanë të martën se qeveria ka “bërë përpjekje të përqendruara ditët e fundit për të kërkuar më shumë kohë që familja e zonjës Nimisha Priya ta arrijë një zgjidhje të pranueshme reciprokisht me palën tjetër”.
“Pavarësisht ndjeshmërisë së çështjes, zyrtarët indianë kanë qenë në kontakt të rregullt me autoritetet lokale të burgut dhe me zyrën e prokurorit, gjë që ka çuar në sigurimin e kësaj shtyrjeje”.
Priya dyshohet se e ka injektuar partnerin e saj të biznesit me një mbidozë vdekjeprurëse të qetësuesve, tha Joseph. Familja e saj këmbëngul se ajo ka vepruar në vetëmbrojtje dhe se partneri i saj ishte abuzues dhe ia kishte mbajtur pasaportën pasi shpërtheu lufta civile në vend.
Gjyqi i saj është mbajtur në gjuhën arabe dhe asaj nuk iu sigurua përkthyes, tha Joseph.
Një grup aktivistësh dhe avokatësh themeluan në vitin 2020 Këshillin e Veprimit “Shpëtoni Nimisha Priya” për të mbledhur para për lirimin e Priyas dhe për të negociuar me familjen e viktimës.
“Negociatat kanë qenë sfiduese”, tha Rafeek Ravuthar, një aktivist dhe anëtar i këshillit. “Realiteti është që nuk ka ambasadë indiane, nuk ka mision në këtë vend”.
Rafeeq tha se deri tani janë mbledhur rreth pesë milionë rupia (pothuajse 58,000 dollarë amerikanë).
Ditët e fundit, politikanë nga shteti i saj i lindjes, Kerala, i kanë kërkuar kryeministrit të Indisë, Narendra Modi, që të ndërhyjë dhe të ndihmojë për lirimin e Priyas.