Ylli i West Ham United më në fund ka mësuar fatin e tij.
Pas gati dy vitesh, Federata Angleze e Futbollit (FA) ka konfirmuar vendimin e saj për hetimin ndaj Lucas Paquetá në lidhje me akuzat për manipulim të qëllimshëm të ndeshjeve për përfitime në tregun e basteve.
Në gusht të vitit 2023, FA nisi një hetim zyrtar ndaj mesfushorit brazilian për shkak të modeleve të dyshimta të basteve që përfshinin katër ndeshje specifike.
Gati një vit më vonë, në maj 2024, FA zyrtarisht e akuzoi Paquetán për tentativë të qëllimshme për të marrë karton të verdhë në katër ndeshje të Premier League, duke shkelur rregullat E5 dhe F3 të FA-së.
Përveç këtyre, ai u akuzua edhe për dy shkelje të tjera të rregullit F3 për mospërmbushje të detyrimeve për të bashkëpunuar me hetimin, sipas rregullit F2.
Ndeshjet në fjalë ishin kundër Leicester City më 12 nëntor 2022, Aston Villa më 12 mars 2023, Leeds United më 21 maj 2023 dhe Bournemouth më 12 gusht 2023.
Që nga fillimi i hetimit, Paquetá i ka mohuar kategorikisht të gjitha akuzat dhe ka folur për barrën emocionale dhe fizike që i ka shkaktuar kjo situatë.
Tani, rezultati i hetimit është publikuar zyrtarisht: FA ka shpallur se Paquetá është shpallur i pafajshëm për akuzat kryesore të sjelljes së pahijshme.
Në deklaratën e tyre zyrtare, FA njoftoi:
“Një Komision Rregullator i pavarur ka konstatuar se akuzat për sjellje të pahijshme ndaj Lucas Paquetá për shkelje të pretenduara të rregullit E5 të FA-së nuk janë vërtetuar. Paquetá ishte akuzuar për katër raste të shkeljes së rregullit E5.1 në lidhje me sjelljen e tij gjatë ndeshjeve të Premier League kundër Leicester City (12 nëntor 2022), Aston Villa (12 mars 2023), Leeds United (21 maj 2023) dhe Bournemouth (12 gusht 2023).
U pretendua se Lucas Paquetá kërkoi të ndikonte drejtpërdrejt rrjedhën e ndeshjeve duke marrë qëllimisht karton nga gjyqtari me qëllim manipulimin e tregut të basteve për përfitim. Ai i mohoi akuzat dhe Komisioni konstatoi se nuk u vërtetuan pas një seance dëgjimore.”
Megjithatë, Komisioni konstatoi se Paquetá kishte shkelur rregullin F3 të FA-së, duke mos bashkëpunuar siç duhej me hetimin. Ai u shpall fajtor për dy raste të shkeljes së këtij rregulli, pasi kishte dështuar të përgjigjej në pyetje dhe të siguronte informacionin e kërkuar. Komisioni do të vendosë më vonë një masë ndëshkuese për këtë shkelje.
FA deklaroi se do të presë arsyetimin me shkrim të Komisionit për vendimet përkatëse dhe nuk do të komentojë më tej deri atëherë.
Deklarata e Paquetá pas vendimit të FA
Pas vendimit, Lucas Paquetá lëshoi një deklaratë personale:
“Që nga dita e parë e këtij hetimi, kam deklaruar pafajësinë time kundër këtyre akuzave jashtëzakonisht serioze. Nuk mund të them më shumë për momentin, por dua të shpreh mirënjohjen time ndaj Zotit dhe mezi pres të kthehem të luaj futboll me buzëqeshje në fytyrë.
Për gruan time që nuk më la kurrë dorën, për West Ham United, për tifozët që më kanë përkrahur gjithmonë, dhe për familjen, miqtë dhe ekipin ligjor që më kanë mbështetur – faleminderit për gjithçka.”
Paquetá iu bashkua West Ham-it në gusht 2022 nga Lyon për një tarifë rekord për klubin prej 51 milionë £.
Që atëherë, ai ka luajtur 120 ndeshje për “Çekanët”, duke shënuar 18 gola dhe asistuar 14 herë.
Vetëm një vit pas transferimit në Londër, Paquetá ishte pranë kalimit te Manchester City, pasi thuhej se kishte rënë dakord për kushtet personale në gusht 2023.
Transferimi, që ai e konsideronte si “ëndrrën e tij”, do t’i sillte West Ham-it mes 80 dhe 85 milionë £, por marrëveshja dështoi pasi u bë publike çështja e hetimit nga FA.
Tani që është shpallur i pafajshëm për akuzat kryesore, Paquetá është i lirë të vazhdojë karrierën e tij, por sipas disa raportimeve të fundit, West Ham është i gatshëm ta shesë atë për një ofertë prej rreth 30 milionë £.
Ai ka tërhequr interesim nga liga saudite si dhe nga ish-klubi i tij, Flamengo. /GazetaExpress/