Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) sot, duke bllokuar qasjet drejt Qeverisë, do të kërkojë rritje të pagës minimale në 600 euro dhe të të gjitha pagave të tjera me 100 euro. Qeveria është institucioni i tretë që do të bllokohet nga sindikata pasi javën e kaluar e bllokuan Kuvendin dhe Odën Ekonomike.
Bllokada, siç njoftojnë nga LSM-ja, është për shkak se Qeveria dhe punëdhënësit nuk kanë rënë dakord për rritje të pagave të punëtorëve dhe sepse vitin e kaluar Qeveria nuk e pranoi propozimin për të subvencionuar një pjesë të kontributeve.
Me nga 21 persona, siç kërkon Ligji për tubime publike, do të bllokohen hyrjet e Qeverisë, e cila sot duhet të mbajë një seancë të rregullt. Nga LSM-ja presin se do të gjejnë mirëkuptim dhe theksojnë se Qeveria ka mundësinë në seancë të marrë vendim për rritjen e pagave të punëtorëve.
“Bllokada e fundit para Qeverisë është pikërisht për shkak se ajo ka bllokuar pagat e punëtorëve për një periudhë të gjatë kohore gjatë së cilës vlera e shportës minimale të sindikatës është rritur për 9.250 denarë, ose një familje me katër anëtarë është më e varfër për 9.250 denarë. Ka rënë edhe argumenti i fundit i përfaqësuesve të qeverisë të cilët, së bashku me shefat, kanë folur vazhdimisht për këtë periudhë, e ai është se punëtorët e RMV-së nuk kanë qenë produktivë. Punëtorët e RMV-së janë tepër produktivë për pagat që marrin, ose vetëm 17 për qind e asaj që krijojnë si kapital për punëdhënësit derdhet në pagat e punëtorëve, ose për shembull, 24.379 denarë është paga minimale mujore për një punëtor, ndërsa 290.000 denarë është produktiviteti që punëtori krijon për punëdhënësin”, tha dje kryetari i LSM-së Slobodan Trendafilov.
Me këtë, LSM-ja realizon bllokadat e paralajmëruara të institucioneve, ndërkohë nëse nuk gjejnë mirëkuptim, paralajmërojnë organizimin e një proteste tjetër dhe një greve të përgjithshme, e cila sipas informacioneve, do të jetë 24-orëshe.
Kërkesën për rritjen e pagave, LSM-ja e bazon në rritjen e kostos së jetesës dhe rritjen e vlerës së shportës së konsumatorit të sindikatës. Nëse sindikata dështon në kërkesat e saj për rritje të pagave, punëtorët që marrin pagën minimale në prill, sipas llogaritjeve, do të marrin një rritje prej 1.500 deri në 1.700 denarë.
tag_katrorimaqedoni_2