Në vend që të rrisë pagat dhe pensionet, pushteti rriti faturat e energjisë elektrike, akuzon opozitarja LSDM. Nga atje shtojnë se rritja e çmimit të rrymës dhe shpallja e gjendjes së krizës nuk janë për shkak të protestave në Greqi, por për shkak të tenderëve kriminalë dhe paaftësisë në sektorin e energjetikës në krye me Sanja Bozhinovskën. Sekretari i përgjithshëm i socialdemokratëve madje tha se këtë vit kemi prodhimin historikisht më të ulët të rrymës vendase, as gjysmën e 5.100 GWh të planifikuara.
“Në vend që energjia të prodhohet në vend, me kosto 80 deri 90 euro për megavat-orë, qeveria blen energji me 140 euro për megavat-orë. Sa u kushton kjo qytetarëve? 77 milionë euro humbje vetëm për dy tremujorët e parë të vitit 2025, ndërsa projeksioni është që deri në fund të këtij viti humbjet të arrijnë mbi 100 milionë euro”, tha Aleksandar Sasha Dimitrijeviq – Sekretar i Përgjithshëm në LSDM.
Nga LSDM publikisht pyesin se kush po përfiton nga importi i shtrenjtë i rrymës, gjersa i bënë thirrje prokurorisë të hapë hetim për humbjet prej 100 milionë eurove.
E në kundërpërgjigjen e saj, partia në pushtet VMRO-DPMNE pyeti se me çfarë kredibiliteti LSD-ja flet për rritjen e çmimit të rrymës, kur fatura të larta qytetarët i paguanin në qeverisjen e LSD-së pasi gjatë shtatë viteve në pushtet rryma u shtrenjtua për 50%.
“Vendi i vërtetë ku LSD duhet të drejtohet për gjendjen në energjetikë janë funksionarët e tyre dhe kuadrot e emëruara për të plaçkitur sektorin energjetik. Sepse paratë nga ky, për ta, biznes fitimprurës janë te tenderët kriminalë që LSD, përmes udhëheqësive të tyre në kompanitë energjetike, i kurdiste, për çka mbi 50 funksionarë të tyre kanë kallëzime penale, mes tyre edhe Vasko Kovaçevski, i cili është në arrati me paratë e vjedhura”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Nga VMEO-DPMNE përfundojnë duke thënë se Qeveria aktuale po investon fuqishëm në konsolidimin e sektorit energjetik, po subvencionon faturat për qytetarët dhe, me rritjen më të ulët të çmimit të rrymës në Evropë, synon mbrojtjen e standardit jetësor dhe forcimin e pavarësisë energjetike.
tag_katrorimaqedoni_2