Louise Bourgeois: Lodrat e Freud-it - Gazeta Express
string(34) "louise-bourgeois-lodrat-e-freud-it"

Louise Bourgeois: Lodrat e Freud-it

Arte

Gazeta Express

16/09/2022 14:48

Përsiatjet e artistes mbi ekspozitën Antikitetet e Sigmund Freud: Fragmente nga një e kaluar e varrosur tek University of Art Musem në Nju-Jork.

Kur shoh këtë katalog të koleksionit të Freud-it, mendoj për Muzeun e Dyllit të Madame Tussaud-it. Një analogji jo dhe aq e përkryer. Koleksioni është një dokument; ka nostalgjinë e një ndarjeje kohore, dhe është shumë prekës. Freud-i i koleksionoi sepse i jepte kënaqësi, një lloj vetëvlerësimi. Por përse i duhej vetëvlerësim? Nuk e di. Si mund të ketë nevojë për vetëvlerësim një njeri si Freud-i? Ndoshta koleksioni i dha një rang shoqëror i cili mund t’i dukej se i mungonte. Ndoshta i dha një mënyrë për të dekoruar zyrën. Ndoshta i dha një shpërqendrim teksa punonte, pasi mund të ketë qenë i këputur deri në dhembje nga historitë e trishta të pacientëve të tij. Nga ana tjetër, mund të ketë qenë i këputur dhe nga heshtjet e tyre. Është e tmerrshme të kalosh një orë me dikë që nuk hapet, jo sepse nuk do por sepse nuk mundet, ose sepse nuk ka asgjë për të thënë, ose e ka mendjen e mjegulluar, ose do të dalë të dehet, ose do që të shprehë antagonizëm. Një Zot e di se cila është arsyeja për këto heshtje, por Freud-i me siguri trashej. Dyshoj shumë se e pëlqente shumicën e pacientëve të tij. Që do të thotë vetëm se ishte njeri.

Lexo Edhe:

Koleksioni i Freud-it ishte kalim kohe. Mund t’i mbante objektet antike, të kujdesej për to, t’u fshinte pluhurin, mund t’i mbante fizikisht në dorë. Megjithëse përdorte shumë metafora arkeologjike në shkrimet e tij për psikikën dhe pavetëdijen, dyshoj se këto objekte e kanë ndihmuar në punën e tij. Ai ishte doktor, neurolog, dishepull i Darwin-it, student i Charcot-it, materialist dhe determinist. Ishte i interesuar për ligjet e shkakësisë. Donte t’u mbushte mendjen pacientëve të tij që të dëgjonin arsyen. Madje, ai refuzonte hipnozën. Ishte i interesuar vetëm në dëshmi, prova dhe dokumente. Informacioni që përdorte shpesh vinte nga biblioteka e tij. Freud-i ishte i interesuar në biografi, raste studimore dhe dokumentime të shkruara e të vërtetueshme. Nuk ishte njeri vizual: koleksioni i tij nuk kishte asnjë vazhdimësi vizuale. Kalonte nga kinezja te grekja, nga grekja te romakja dhe nga romakja tek egjiptiania. Çuditërisht, nuk duket t’i ketë interesuar arti afrikan. Dhe sigurisht nuk kishte interes në artin e ditës së tij.

Është e vërtetë, siç thotë katalogu, që psikanaliza mund të barazohet me gërmimin. Por analogjia është e pavlerë. Kurdo që të jepet një problem, gërmon. Gërmon në mendjen tënde. Të gjithë gërmojmë për të vërtetën. Një mace gërmon në kopsht për të fshehur mutin e saj. Të gjithë gërmojmë gjithë ditën, kështu që metafora është e dukshme. Më zbuluese se gjuha arkeologjike e Freud-it është përdorimi i termave nga fizika dhe mekanika, terma si energjia, kondensimi dhe zhvendosja. Donte të ishte shkencor.

Kështu që këto objekte nuk ishin thelbësore në punën e Freud-it. Ishin lodrat e tij. E argëtonin. Ishin pjesë e jetës së mirë dhe siç thashë, atij mund t’i nevojitej pak qetësim. Mendoj gjithashtu se duhet të shohësh prezencën kërcënuese të Jung-ut pas koleksionit të Freud-it. Jung-u vërtet që i nxori përfundimet e tij nga antikiteti, megjithëse e teproi. Por Freud-i ishte njeri i arsyeshëm dhe shkencor. Ishte i kënaqur me këto çikërrima, por ato nuk ia pështjellonin intelektin apo aftësinë e tij si doktor. Një nga mënyrat me të cilat ndonjëherë shëronte ishte të lëvizte dorën te balli i pacientit dhe thjesht ta prekte. Ky kontakt fizik ishte aq i vërtetë sa papritur pacienti fillonte të fliste, fillonte të funksiononte. Kështu që si shërues Freud-i ishte një njeri shumë i fuqishëm. Do të thotë se realiteti për të nuk ishte te figurinat e vogla. Realiteti për të ishte në jetën apo vdekjen e pacientit të tij. Realiteti ishte në luftën për mbijetesë të pacientit të tij.

E shoh zyrën e tij me histerikët gjysmë të vdekur si një vend për të ardhur keq. Nuk dua ta ekzagjeroj, por i quaj krimba. Freud-i ishte aq në harmoni me mjerimin e njerëzve, dhe me mjerinë e fantazive dhe supersticioneve të tyre, sa i duhej të shihte spektaklin prehës të civilizimit që kishte vdekur por ishte ende gjallë sot. Kishte nevojë të çlirohej nga përballja e dhembshme, e vazhdueshme me fragmentet e pjesëve të mendjeve të thyera. Megjithëse nuk ishte besimtar, besonte në një lloj rimishërimi. Freud-i i trajtoi këta njerëz sepse ishte mënyra e tij për të luftuar vdekjen. Për arsye egoiste, ai ishte i  nxitur t’i provonte vetes se ishte më i fortë se vdekja. Pacienti po vdiste brenda, por Freud-i mund ta shtynte tutje vdekjen. Gjithsesi, ai përballej vazhdimisht me zhdukjen e këtyre krimbave. Por krahasimi është i çuditshëm, pasi krimbi është i gjallë. Krimbi vërtitet me jetë. Krimbi është, në fakt, një simbol i rimishërimit.

Në kaosin e lidhjes së tij me pacientin, ai zbuloi se kishte aftësinë të besonte në një rimishërim përmes kulturës. Të gjitha kulturat që Freud-i futi në koleksionin e tij i dhanë shpresën se historia është e plotë. Gjithë civilizimet kanë të drejtë të jetojnë. Mund ta kuptonte historinë, dhe kjo i siguroi se kishte një vend në të. Ai bënte pjesë diku, pavarësisht padrejtësive që vuajti. Në fund të fundit, ai ngërtheu me hakmarrje vuajtjet e babait të tij. Të gjithë duam t’i mbrojmë prindërit tanë. Ai filloi të koleksiononte kur i vdiq babai, dhe ishte shumë bujar në koleksionin e tij. I pranoi të gjitha ato figura. I dha vend secilës prej tyre, dhe kështu edhe ai kishte një vend. Prania e tyre mbi tavolinë apo në raft ishte diçka fizike. Por ato nuk ishin vizualisht të rëndësishme për të. Në fakt, Freud-i kishte rënë në dashuri me bibliotekën e tij. Nuk kishin pse të ishin ato subjektet e vogla konkrete.

Unë nuk jam koleksioniste. Kam kënaqësi të zbuloj diçka, por pasi e kam marrë dhe paguar, humbas menjëherë interesin. Më vjen turp që jam përfshirë në një kënaqësi të tillë dhe përpiqem ta heq qafe menjëherë objektin.

Muzeu i Freud-it në Londër

Im atë kishte një koleksion dhe unë e gjeta. E kam akoma. Është një kuti dhe brenda saj, disa guralecë. Kishte qindra të tillë, dhe ai e mbante mbi tavolinë. Thoshte: “Përjetimi i secilit çast të bukur më provon se jeta ia vlen të jetohet dhe në shenjë mirënjohjeje, fus një guralec në kuti.” Kështu që ai po koleksiononte çaste të bukura. Pse duhej ta bënte këtë? Ndoshta ngase kishte ankth, e konsideronte jetën ferr dhe i duhej t’i provonte vetes se mes së keqes së gjithçkaje gjendeshin çaste të bukura dhe guralecët ishin prova e ekzistencës së tyre.

Në këta terma, në një statujë greke nuk gjendet asgjë me më shumë vlerë sesa në një guralec. Të dyja mund të të ndihmojnë të besosh se jeta ka një rregull dhe një rasion d’etre. Akoma, ka një ndryshim të madh mes simbolit personal dhe atij shoqëror. Ka gjithashtu një ndryshim të madh mes artefaktit dhe artit. Së pari, një artefakt është i dobishëm dhe nuk lidhet me asgjë më gjallërisht sesa me funksionin e vet. Është i izoluar në kuptimin momental dhe lehtësisht i riprodhueshëm. Nuk është origjinal. Shumë nga arti bashkëkohor duhet parë si artefakt; por pastaj, po ashtu duhet bërë edhe me disa nga objektet në koleksionin e Freud-it. A është një statujëz e vogël e Tangara-s nga periudha greke mishërim i vërtetë i atij civilizimi? Këto figura janë bërë nga mijëra, prej baltës, pasi ishin statujëza funebre dhe vendoseshin ndër varre. Sot ata nuk janë simbole. Andy Warhol koleksiononte kavanoza biskotash; kanë vlerë vetëm në atë çfarë prezantonte zgjedhja e Warhol-it. Ata donin të thoshin dika për të, por nuk kishin ndonjë domethënie shoqërore. Sot janë një mall i masmedias. Një lojë është në rregull kur është thjesht një lojë. Nuk është një realitet. Arti është një realitet. Artefakti është një punë dore; vepra e artit është një gjuhë. Artefakti ka vlerë vetëm edukative ose sentimentale. Vepra e artit ka një vlerë absolute. Si mund të ketë pasur Freud-i një sy në vlerën estetike kur estetika e disa prej këtyre objekteve është kaq e kotë?

Së fundi, jam më pak e shqetësuar në interesin e Freud-it tek arti sesa në interesin e tij tek artisti. Dua thjesht të di çfarë Freud-i dhe trajtimet e tij mund të bëjnë, kanë provuar të bëjnë, pritet të bëjnë, do të bëjnë, do të dështojnë të bëjnë ose ishin të pazotët për të bërë për artistin herë pas here? E vërteta është se Freud-i nuk bëri asgjë për artistin apo për problemin e artistit, mundimin e tij – të jesh artist përfshin ca vuajtje. Prandaj artistët i përsërisin vetes se nuk i qasen dot ndonjë kure. Njerëzit e lartësojnë artin dhe i kthehen atij, më së pari, ngase do të donin të ishin aktivë seksualisht por kanë frikë dhe së dyti, sepse ndihen fajtorë. Në këtë ditë dhe epokë, është e thjeshtë për njerëzit të jenë të ndarë nga seksi. Patjetër, s’ka nevojë të jesh fetar për të pasur frikë prej tij. Dhe nevojat e artistit vijojnë të mbeten të paplotësuara, ashtu sikurse mundimet e tij.

Përktheu Enxhi Hudhri

/Exlibris